E Diel, 1 Nëntor 2026

RENEA arreston “të fortin” e Burrelit

27/03/2005  Kërkohej për një vrasje të vitit 1997

BURREL – RENEA, pas një operacioni disaorësh vëzhgim në qytetin e Burrelit, arrin të vërë në pranga një person, që, sipas policisë, është tepër i rrezikshëm dhe i akuzuar për disa vrasje, njëra prej tyre e faktuar. Sipas njoftimit të policisë, dje, në 06.00, në qytetin e Burrelit, forcat speciale RENEA në bashkëpunim me efektivat e Komisariatit të Policisë Mat, kanë bërë të mundur kapjen në banesën e tij të shtetasit të shumëkërkuar Ismet Haki Kola. Ky shtetas ka qenë person i shpallur në kërkim, pasi më datë 09.03.2005, Gjykata e Rrethit Mat ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Shtetasi Ismet Kola, nga hetimet e deritanishme, është autori i dyshuar, së bashku me dy vëllezërit e tij, Faslli Kola, tashmë i arrestuar dhe Mehdi Kola, vrarë me 06.07.1997, për vrasjen me armë zjarri të shtetasit Bashkim Xhetani. Gjithashtu këta shtetas janë dhe persona të dyshuar për një serial vrasjesh të ndodhura në qytetin e Burrelit, në harkun kohor 1997–1998, ku si pasojë e grindjeve mes bandave rivale shtetasit Ismet Kola i janë vrarë dy vëllezër dhe babai, Haki Kola. Ndërkohë, gjatë kohëve të fundit, nga puna e bërë nga efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, është bërë e mundur prangosja e disa persona të rrezikshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›