E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas dështimit të vjedhjes, braktis kushëririn e plagosur

27/03/2005  Shkëmbim zjarri në Vlorë, arrestohen protagonistët

VLORË - Një i ri mbetet i plagosur, pas shkëmbimit me armë zjarri mbrëmjen e kaluar në qytetin e Vlorës. Ngjarja nisi me iniciativën e dy të rinjve për të kërcënuar një shtetas dhe për t’i marrë atij një makineri, pa ditur se ai atë moment ndodhej në banesë. Ky është versioni paraprak nga burime të policisë, dhe pse nuk është qartësuar nëse autorët shkuan në banesë për të vjedhur apo për të kërcënuar. Sipas njoftimit të komisariatit të policisë lokale, dy persona të armatosur kërcënuan me armë zjarri shtetasin Krenar Kormuzi, momentin sapo ai ishte futur në shtëpinë e tij. Dy kushërinjtë e parë, Elion dhe Antonio Zoto, të pajisur me një automatik të vogël, tip Shark, kanë shkuar në shtëpinë e Kormuzit dhe e kanë kërcënuar. Ky i fundit, sapo ka konstatuar qëllimin e personave, merr një kallashnikov, që e mbante në shtëpimë e tij dhe qëllon ndaj dy personave. Nga plumbat mbeti i plagosur Elion Zoto, i cili është shtruar në spital, por jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe kanë arrestuar të tre personat. Ende nuk dihet shkaqet e ngjarjes, por, sipas burimeve policore, bëhet fjalë për motive të dobëta.

Ngjarja

Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23.30 minuta, dy kushërinj të parë, shtetasit Eljon Zoto dhe Antonjo Zoto, kanë shkuar me një motor për të vjedhur një makineri në banesën e shtetasit Krenar Kormuzi, i cili banon në lagjen pranë fushës së avicionit, thotë një punonjës policie. Dy kushërinjtë Zoto kanë lënë motorin në rrugë pranë banesës dhe më pas kanë hyrë në oborrin e shtëpisë së Krenar Kormuzit të armatosur me një armë automatike. Në momentin që kanë hyrë në oborrin e shtëpisë, janë diktuar nga i zoti i shtëpisë, Kormuzi, i cili ka dyshuar për zhurmën e shkaktuar në oborr dhe menjëherë ka dalë jashtë për të parë se çfarë po ndodhte. Por, sa po ka dalë te dera e jashtme, ka parë dy persona të armatosur, të cilët kanë qëlluar me armë automatike në drejtim të tij, por fatmirësisht nuk e ka kapur asnjë plumb.

Kormuzi ka mundur t’u shpëtoj plumbave dhe me shpejtësi ka hyrë në banesë, ka marrë një armë zjarri, të cilën e mbante pa leje, ka dalë sërish jashtë dhe ka qëlluar në drejtim të dy personave, të cilët sapo ishin bërë gati të largoheshin me motor.

Breshëria e automatikut të Kormuzit ka kapur dhe plagosur një prej kushërinjve, shtetasin Eljon Zoton.

Policia

Të dy kushërinjtë mundën të largohen rreth 200 metra nga vendi i ngjarjes, por i plagosuri në këto momente ka humbur ndjenjat dhe ka rënë përtokë. Kurse kushëriri i tij, i cili i ka shpëtuar plumbave të armës automatike, është larguar i tmerruar, duke lënë kushëririn e plagosur në vend. Ai ka shpejtuar të hedh armën automatike disa metra larg, mbas një muri dhe ka shkuar në shtëpinë e tij.

Në vendngjarje vetëm pa gjysmë ore mbërrin policia, e cila ka bërë të mundur shumë shpejt të gjej të plagosuarin dhe ta trasportoj atë në spitalin ku ju dha dhe ndihma e shpejt. Zoto aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Nuk kanë vonuar dhe forca policie mbërrijnë në banesën e shtetasit Antonio Zoto dhe kryejnë arrestimin e tij. Është bllokuar motori, me të cilin kanë udhëtuar dy personat, arma automatike që kanë patur me vete, si dhe armën automatike që ka qëlluar i zoti i shtëpisë, me të cilën plagosi shtetain Eljon Zoto.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›