Rama: Berisha ka humbur ekuilibrin mendor
Kryetari i opozitës ka reaguar pas akuzave të ashpra të Berishës. Sipas Ramës, shteti i së drejtës ka rënë. "Berisha ka humbur krejt fillin e arsyes, është mbërthyer nga paniku i ballafaqimit me popullin e vet"
TIRANË - Fjalë të një të çmenduri i ka konsideruar kreu socialist, Edi Rama, deklaratat e bëra nga kryeministri Sali Berisha, ku ky i fundit sulmoi liderin e opozitës me një fjalor shumë të rëndë, duke mos lënë pa prekur asnjë nga familjarët e tij.
Në një dalje të orëve të vona, kreu socialist është përpjekur t'i kthejë përgjigje kundërshtarit të tij politik, por duke mos rënë në të njëjtin nivel akuzash dhe sulmesh të bëra nga një njeri që, sipas tij, ka humbur ekuilibrin mendor.
"Sali Berisha hyri në shtëpitë e shqiptarëve me një shkulmë të pafre shpifjesh e sharjesh në adresën time, që shqip do të quhej me libër shtëpie e shoqërie dhe më tej akoma, deri në akuza monstruoze për krime e lidhje me kriminelë.
Vendosa të reagoj sonte, sepse dua të ndaj me të gjithë ju shqetësimin për ekuilibrin mendor të njeriut që ka në dorë qeverinë e Shqipërisë në këto orë të vështira për vendin, për demokracinë, për shtetin e së drejtës, për ekonominë shqiptare", - tha Rama gjatë konferencës së mbajtur dje në mbrëmje në selinë rozë.
Duke iu referuar pikërisht fjalorit të përdorur nga Berisha në fjalën e vet mbajtur dje në Kuvend, Rama ka theksuar se ky është shembulli më i qartë i faktit se vendi është në udhëkryq, pasi shteti ka rënë dhe kjo, sipas tij, për të vetmen arsye, sepse drejtohemi nga një njeri i ç'ekuilibruar mendërisht. "Vendi është në udhëkryq. Demokracia është në rrezik. Shteti i së drejtës ka rënë. Ekonomia shqiptare po falimenton.
Dhe ne të gjithë drejtohemi nga një njeri që, bashkë me ekuilibrin mendor, ka humbur vetë aftësinë për t'i fshehur ato që fatkeqësisht mendon me të vërtetë për demokracinë, për lirinë e të drejtat e njerëzve në Shqipëri, për opozitën, për të gjithë ata që thjesht nuk e duan për të parin e vendit dhe për vetë normat më elementare të edukatës qytetare", - tha Rama.
Sipas tij, një reagim i tillë kaq i ashpër nga ana e kryeministrit ka ardhur si pasojë e panikut që ka zënë mazhorancën nga përballja me popullin në betejën për transparencën e zgjedhjeve parlamentare.
"Kohën që ne i dhamë për reflektim, Sali Berisha e ktheu kohë për tërbim. Me të kuptuar se kërkesa për hapjen e kutive të 28 Qershorit nuk ishte asfare një lojë e vogël politike, po një vullnet i madh popullor, Sali Berisha ka humbur krejt fillin e arsyes, është mbërthyer nga paniku i ballafaqimit me popullin e vet dhe është lëshuar në një sulm vetëdiskreditues, duke e nxjerrë edhe më shumë në dukje atë që mundohet të fshehë", - u shpreh më tej kreu socialist.
Duke i konsideruar përpjekje të dështuara, kreu i PS-së ka deklaruar se Berisha nuk mund të mashtrojë qytetarët e këtij vendi, duke hedhur baltë mbi familjarët e tij.
"Sali Berisha nuk i ikën dot ballafaqimit me të vërtetat e qeverisjes së tij, duke iu drejtuar nga foltorja e parlamentit nënës time. Sali Berisha nuk e fsheh dot përfshirjen e familjes e të tarafit të tij në kapjen e qeverisë për përfitime të paligjshme, duke sulmuar të ndjerin babain tim.
Sali Berisha nuk e mbulon dot masakrën elektorale, duke përgojuar nënën e djalit tim dhe pa kursyer as gjyshen e djalit. Sali Berisha nuk i shpëton dot nxjerrjes së të vërtetave, duke e përdorur foltoren e parlamentit për të kërcënuar me emër e mbiemër qytetarë të lirë të këtij vendi që s'janë të rreshtuar pas tij", - u shpreh më tej Rama.
Gjithashtu, ai i ka bërë të ditur Berishës dhe gjithë mazhorancës se nuk do të mund të trembë dot opozitën dhe qytetarët shqiptarë me kërcënime që, sipas tij, në Shqipëri nuk bëheshin as para viteve '90-të.
"I ka të kota edhe listat e punonjësve të administratës shtetërore për antimitingun e 8 Dhjetorit ku, me gjoja popullin e mbledhur për të duartrokitur udhëheqësin, do t'i 'thyejë dhëmbët e dhëmballët' opozitës, njësoj siç bënin Ramiz Alia apo udhëheqësit e tjerë të Lindjes Komuniste në kohën kur Sali Berisha s'ishte veçse anëtari me teserë nr. 18690 i partisë së Enver Hoxhës", - tha Rama, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se Berisha po përpiqet që të manipulojë kutitë e votimit në magazina ku dhe mbahen.