Pakti detar me Greqinë, Kushtetuesja e ngrin pa afat
Gjykata Kushtetuese ka pranuar vetëm kërkesën e PS-së, ndërsa rrëzoi pretendimet e 5 partive të tjera politike
TIRANË - Procedurat e ratifikimit të marrëveshjes për caktimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë ngrijnë për një afat të pacaktuar. Gjykata Kushtetuese ka shpallur dje vendimin për të pezulluar çdo veprim për diskutimin dhe miratimin nga ana e
Kuvendit të Shqipërisë të marrëveshjes "Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare, që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare", ose siç njihet ndryshe marrëveshja që bën ndarjen e vijës kufitare ujore mes Shqipërisë dhe Greqisë, e nënshkruar gjatë pranverës së shkuar nga dy qeveritë përkatëse.
Gjithashtu, kjo gjykatë ia ka njohur të drejtën për të ankimuar një marrëveshje të tillë vetëm Partisë Socialiste, ndërsa ka rrëzuar 5 forcat e tjera aleate, që gati një muaj më parë iu bashkëngjitën kësaj nisme të socialistëve.
Shqyrtimi
Gjykata Kushtetuese se ka pasur aspak të lehtë të marrë një vendim lidhur me fatin e marrëveshjes së kufijve ujorë.
Vetëm për shqyrtimin e legjitimitetit të subjekteve ankimuese, ajo ka diskutuar për më shumë se një muaj në kolegjin tresh të gjyqtarëve, por pa mundur të unifikojë qëndrimin ashtu siç edhe e parashikon ligji i këtij institucioni për shqyrtimin e çështjeve në këtë fazë.
Në pamundësi për të marrë një vendim mbi legjitimitetin, Gjykata Kushtetuese ka kaluar në një fazë tjetër, atë të shqyrtimit të kësaj pike nga mbledhja e 9 gjyqtarëve.
Kështu, mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, dje mori në shqyrtim paraprak kërkesën e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Partisë Social-Demokrate, Partisë Demokracia Sociale, Partisë Demokristiane, Partisë "Ligj dhe Drejtësi", Partisë G99, me objekt: "Shqyrtimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë dhe nëpërmjet një njoftimi për mediat ka bërë të ditur se bazuar në nenin 31 të Ligjit nr. 8577, dt.10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", çmon se ekziston shkaku dhe baza ligjore për shqyrtim gjyqësor të kërkesës vetëm sa i takon subjektit kërkues Partia Socialiste e Shqipërisë.
Pra, sipas këtij vendimi të marrë me shumicë votash, vetëm Partia Socialiste ka mundur të bindë gjykatën me anë të dokumentacionit shtesë të paraqitur pranë saj (statuti) se ka si objektiv të aktivitetit të saj politik mbrojtjen e interesave kombëtare dhe tërësisë territoriale të vendit. Ndërsa për 5 subjektet e tjera, gjykata ka vendosur të rrëzojë kërkesën, duke mos i legjitimuar ato si palë në një çështje të tillë.
Procedura
Pas këtij përcaktimi trupi i gjyqtarëve të lartë ka vendosur që të kalojë çështjen për shqyrtim në seancë plenare me subjekt kërkues vetëm Partinë Socialiste, pezullimin e procedurave të ratifikimit të marrëveshjes nga Kuvendi deri në shpalljen e vendimit përfundimtar.
Ndërkohë që seanca plenare do të zhvillohet me datë 8 dhjetor 2009, pra një ditë para se të skadojë afati 30-ditor që kjo gjykatë ka në dispozicion për shqyrtimin e një marrëveshje të tillë.
Megjithatë, për sa i përket afatit njëmujor, Gjykata Kushtetuese i ka bërë një interpretim ndryshe nenit 53 të ligjit mbi të cilin ajo vepron, duke përcaktuar se brenda kësaj kohe duhet të përfundojë shqyrtimi i çështjes në seancë plenare, por jo të jepet detyrimisht vendimmarrja për të.
Në këtë mënyrë pritet që fati i marrëveshjes në fjalë të përcaktohet pas datës 8 dhjetor kur edhe do të mbahet seanca, vendimmarrje që me shumë gjasa mund të kalojë për vitin tjetër. Gjatë kësaj faze parashikohet që të thirren dhe ekspertë të fushës për të bërë matjet dhe gjykimet profesionale mbi pretendimet e renditura në kërkesë.
Ligji "Për organizimin e Gjykatës Kushtetuese"
Neni 52
1. Gjykata Kushtetuese shqyrton pajtueshmërinë me Kushtetutën të marrëveshjeve ndërkombëtare para ratifikimit.
2. Gjykata Kushtetuese vihet në lëvizje për shqyrtimin e këtyre çështjeve vetëm pasi bëhet kërkesë nga subjektet e parashikuara në nenin 134 shkronjat "a", "b", "c" e "ç" të Kushtetutës, si dhe nga subjektet e parashikuara në shkronjat "dh", "e", "ë" e "f" të Kushtetutës, për çështje që lidhen me interesat e tyre.
3. Në rast se çështja ka kaluar në seancë plenare, pezullohen procedurat për ratifikimin e marrëveshjes. Shqyrtimi i kërkesës përfundon brenda 1 muaji nga data e paraqitjes së saj.
4. Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos papajtueshmërinë e marrëveshjes ndërkombëtare me Kushtetutën, ajo nuk mund të ratifikohet.
Pika të kërkesës së PS-së
Mungesa e plotë e transparencës që ka shoqëruar përgatitjen, negocimin dhe firmosjen e kësaj marrëveshjeje nga Këshilli i Ministrave
Moskonsiderimi i fakteve historike lidhur me kufirin shqiptaro - grek
Mungesa e hartës shoqëruese që përcakton qartë dhe dukshëm vijat e përcaktimit të kufirit dhe të ndarjes së hapësirës detare (delimitimit) ndërmjet palëve nënshkruese
Mungesa e ushtrimit të kujdesit të domosdoshëm nga ana e autoriteteve shqiptare në përcaktimin e koordinatave të delimitimit të hapësirës detare, duke mos shfrytëzuar siç duhet parashikimet në Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi Të Drejtën e Detit (UNCLOS)
Neglizhenca e qeverisë ndaj reagimit të opinionit publik, ekspertëve të fushave të ndryshme, të cilët pretendojnë për mungesë konsultimi publik, si dhe refuzimin për të shfrytëzuar ekspertizën më të mirë të vendit në përcaktimin e kushteve të kësaj marrëveshje me interesa madhore, si dhe ngutja për negocim të kësaj marrëveshjeje, kur çështje të tilla marrin shumë vite kohë negocimesh mes palësh
Marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë vjen në kundërshtim dhe në shkelje të hapur me kufirin detar ekzistues ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, siç është përcaktuar nga të gjitha hartat e kohës që nga viti 1925 deri në ditët e sotme.
Konventa e të Drejtës së Detit (Konventa e Montego Bay, UNCLOS 1982), nuk ka gjetur zbatimin e duhur, madje është zbatuar në dëm të interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe tërësisë territoriale të vendit tonë.
Marrëveshja ka konsideruar tërësinë ishullore të Arkipelagut të Korfuzit dhe secilin prej ishujve si pika skajore për ndarjen dhe përcaktimin e kufijve detarë dhe Shtratdetit (Shelfit Kontinental). Ky fakt i ka shkaktuar dëm interesave kombëtare dhe tërësisë territoriale të vendit, veçanërisht përgjatë pikave 125 dhe 137 të marrëveshjes.
Në marrëveshje nuk janë marrë parasysh kushtet që parashikohen në UNCLOS për shtetet që ndodhen përkundruall. Në këtë rast, Ngushtica e Otrantos i përket vetëm dy shteteve, Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, fakt ky që nuk është mbajtur parasysh nga marrëveshja ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.
Në vijën hyrëse detare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë dhe veçanërisht në ngushticën veriore të Korfuzit, nuk është mbajtur parasysh përcaktimi i Komisionit Ndërkombëtar të Përcaktimit të Kufijve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë (1913, Miratuar me Aktin Final të Parisit, 1926).
Duke u nisur nga përcaktimi i njohur ndërkombëtar, sipas së cilit "Vija ndarëse ujore detare në Kanalin e Korfuzit kalon mes përmes tij...", shkëmbi "Barketa" ndodhet 60 metra në Lindje të vijës së mesme. Sipas këtij përcaktimi, ky shkëmb i takon Republikës së Shqipërisë.
Në marrëveshjen e nënshkruar nga RSH dhe RG, "Shkëmbi Barketa" është konsideruar si pikë skajore e Arkipelagut të Korfuzit, prej të cilës është matur vija e re e mesme. Kjo ka cenuar tërësinë territoriale të RSH me një dëm prej 1.5 kilometrash.