E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: “LSI koalicion paszgjedhor, edhe nëse fiton”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Bashkëpunimi

Koalicionet paszgjedhore të Lëvizjes Socialiste për Integrim me partitë e tjera të së majtës do të jenë gjithmonë mbi bazën e programeve dhe të çështjeve të përbashkëta. Numri dy i LSI-së, Pëllumb Xhufi, sqaron për Ballkan se menjëherë pas zhvillimit të zgjedhjeve të 28 Qershorit, LSI, nëse nuk fiton, por edhe në rast të një fitoreje të saj, do të diskutojë për një koalicion me partitë e majta, fillimisht me Partinë Socialiste. Ai komenton më tej ftesën e Ramës për mbështetësit e LSI-së, por dhe të kreut të saj për të votuar për selinë rozë, duke i konsideruar ato si emocionale, por njëkohësisht edhe shqetësuese. Xhufi tha se LSI nuk dëshiron të kapet pas deklaratave të tilla, edhe pse ajo mund të krijojnë probleme jo vetëm për kreun e PS-së, por edhe për të majtën në tërësi. Sipas tij, LSI shpreson në një ndryshim qëndrimi nga ana e Ramës.
Koalicionet
“Lëvizja Socialiste për Integrim ka një pozicionim të qartë në politikën shqiptare dhe gjithmonë nga ana e saj, qoftë në qëndrime apo deklarata, nuk është vënë asnjë njollë dyshimi lidhur me pozicionimin e saj. Në rast se nuk do të fitojmë të vetëm, natyrisht që, dhe po të fitojmë të vetëm, do të bëjmë koalicion me forcat e majta dhe në këtë vështrim marrim në konsideratë të parë PS-në. Për sa i përket problemit të formulave dhe të çështjeve me të cilat do të mund të biem dakord pas zgjedhjeve, siç ndodh në çdo vend, janë çështje që u përkasin bisedimeve pas zgjedhjeve”, - thekson Xhufi. Sipas tij, pas zhvillimit të zgjedhjeve do të ketë diskutime mbi linjat programore të përbashkëta dhe për çështje të cilat do të mund të merren qëndrime të përbashkëta. “Por është një çështje që do të diskutohet pasi të fillojë procesi. E rëndësishme është se ne kemi qenë koherentë në pozicionimin tonë”, - tha ai. Numri dy i LSI-së pohoi se partia që ai përfaqëson gjithmonë ka nënvizuar aleancën e saj të madhe me gjithë socialistët dhe progresistët dhe në këto 4 vite nuk ka asnjë gjest nga ana e LSI-së që të ketë lënë ndonjë dyshim për bashkëpunim dhe aq më pak për krijimin e qeverisë me PD-në dhe Sali Berishën. “Kanë qenë, për fat të keq, të tjerët ata që kanë bashkëpunuar hapur, madje, dhe për të përmbysur raporte institucionale dhe për të shprishur arritjet e së majtës në vitet e shkuara dhe që kanë të bëjnë me hedhjen e bazave solide për një shtet modern, siç ishte Kushtetuta apo ligje të veçanta që janë prekur nga një konsensus i dyshimtë mes PD-së dhe PS-së”, - deklaroi ai.
Deklarata e Ramës
Xhufi e quan ftesën e kryesocialistit, që Meta dhe mbështetësit e LSI-së të votojnë për PS-në, si shprehje e një sindromi autokratik që zoti Rama e ka dhe për të cilin njihet edhe në opinion. Por sipas tij, kreu i selisë rozë duhet të tërhiqet nga kjo gjë, sepse pluralizmi dhe demokracia nuk është drejtimi i njëshit dhe shpërbërja e dialektikës demokratike, pra ekzistenca e shumë partive dhe ekzistenca e një debati edhe të brendshëm qoftë brenda një partie, siç është PS, por qoftë edhe partive të të njëjtit spektër siç është LSI. “Shprehje të tillë, që të votojë për mua Meta apo që LSI të shkrihet ose të shpallë vetëshkrirjen dhe të votojë për Ramën, këto janë deklarata me një sfond të dyshimtë, tepër serioz dhe shqetësues për të ardhmen, në radhë të parë, të lidershipit të PS-së, por në farë mënyre dhe të së majtës në kuadër të opinionit publik jo vetëm shqiptar, por dhe ndërkombëtar”, - tha Xhufi, ndërsa shtoi se është mirë që Rama të distancohet nga deklarata të tilla. “Më mirë të preferojë heshtjen sesa të bëjë deklarata të tilla bombastike, skandaloze, të cilat i sjellin në radhë të parë dëm vetë atij”, - tha ai. Lidhur me ndikimin e këtyre deklaratave në bashkëpunimin paszgjedhor, Xhufi tha se Rama ka bërë jo vetëm deklarata, por dhe vepra kundër LSI-së si Reforma Zgjedhore apo kushtetuese. “Nuk është e nevojshme të kapemi pas deklaratave që mund të jenë dhe emocionale, mund të jenë të çastit. Rama e ka këtë bindje, por dhe bindjet ndryshojnë një ditë. Kemi të drejtën të shpresojmë se ai do të ndryshojë rrugë dhe do të jetë më realist në gjykimin e politikës shqiptare, por dhe të faktorëve që ndikojnë dhe do ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve. Në këtë kuptim mund të thuash sot që LSI të shkrihet, por mund të ndodhë e kundërta që nesër pas zgjedhjeve të jetë PS që të kërkojë ndihmën e LSI-së. Pra duhen marrë parasysh të gjitha mundësisë. Zoti Rama, me sa duket, sheh në mënyrë të njëanshme, duhet ta bëjë këtë sforco për të qenë më gjithëpërfshirës”, - tha ai.
Ky lajm është publikuar: 31/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›