Vjedhjet në kryeqytet, arrestohen 5 të rinj
Pesë persona janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi akuzohen për vjedhje. Ndërkohë që të rinj të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë, për shkak të moshës dhe mospasjes së provave të dyshuara për këtë vepër penale.
Nga efektivët e Seksionit Kundër Vjedhjeve të Biznesit në bashkëpunim me komisariatet e policisë së Tiranës, pas një pune të mirëfilltë profesionale operative-hetimore, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Sharra”, operacion i cili mundësoi goditjen në kohë të një tjetër grupi kriminal me tendencë vjedhjet e biznesit. Në prangat e uniformave blu ranë L. Xh., 17 vjeç, E. H., 15 vjeç, Klaus Sula dhe K. Ç., 17 vjeç. Ndërsa Bledar Hushi, 23 vjeç, lindur dhe banues në Krujë, ndiqet në gjendje të lirë. Sipas burimeve nga policia, ata dyshohet të kenë realizuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin vjedhjen e gjashtë dyqaneve në Tiranë, ngjarje të ndodhura në muajin nëntor 2008 dhe janar-shkurt 2009, vjedhjen e një farmacie në Tiranë të ndodhur në muajin nëntor 2008, si dhe vjedhjen e tre lokaleve në Tiranë të ndodhura në muajin dhjetor 2008 dhe janar 2009. Po dje, nga shërbimet policore të komisariatit numër 1 kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të vjedhjes së banesës, ndodhur më 2 shkurt 2009 në rrugën “Ali Demi”. Autorët janë tre 14-vjeçarë me inicialet S. M., E. P., F. S., të tre lindur dhe banues në Tiranë. Ndërkaq, oficerët e Policisë Gjyqësore pranë komisariatit të policisë numër 6, në bazë të lëshimit të urdhrit të ndalimit nga Prokuroria e Tiranës, kryen dje ndalimin e Endrit Avdias, 27 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje. Ndalimi i tij u krye pasi dyshohet se është autor i vjedhjes së banesës, ndodhur më 6 shkurt 2009 në rrugën “Hamdi Cenoimeri”, Kombinat.