E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinë, dënohen me vdekje dy persona për skandalin e qumështit



Dy persona janë dënuar me vdekje nga një gjykatë në Kinë për përfshirje në prodhimin e qumështit të prishur, nga i cili humbën jetën gjashtë foshnja dhe u helmuan rreth 300 mijë të tjerë. Me burgim të përjetshëm u dënuan dy drejtuesit e kompanisë që prodhoi qumështin e prishur. Gjykata do të shpallë edhe vendimet për 21 personat e tjerë të akuzuar për prodhimin dhe shitjen e qumështit, që ishte përzier me materiale kimike helmuese. Gjatë vitit të kaluar, skandali me qumështin e prodhuar në Kinë shkaktoi situatën në të cilën nga mbarë bota u tërhoqën kontigjentet e qumështit. Nga kjo situatë doli në dritë edhe korrupsioni i disa zyrtarëve dhe korporatave.

Incidentet në Mitrovicë, Rexhepi premton vendosje të ligjit

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar arrestimin e autorëve të incidenteve të fundit të ndodhura në veri të Kosovës. “Është koha që të ndërmerren masa konkrete në drejtim të vendosjes së rendit dhe ligjit, që nënkupton edhe arrestimin e atyre që po shkaktojnë incidente në veri. Ky do të ishte një mesazh për të gjithë kriminelët pa dallim përkatësie etnie”, - tha Rexhepi pas një takimi që zhvilloi me zëvendësdrejtorin e Sektorit të Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë Nils Ragnar Kamsvag dhe përfaqësuesin e Ambasadës së Norvegjisë në Kosovë, Sverre Johan Kvale. Gjatë takimit u diskutua mbi gjendjen e sigurisë në Mitrovicë. Mitrovica është përfshirë nga një valë incidentesh etnike mes serbëve dhe shqiptarëve që jetojnë atje. Sipas Rexhepit, incidentet shkaktohen nga qarqe të caktuara serbësh, të cilët duan të destabilizojnë sigurinë në Mitrovicë.

Selimi: “FSK-ja, së shpejti pjesë e NATO-s”

“Forca e Sigurisë së Kosovës do të vihet në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe do të bashkëpunojë me të gjitha vendet fqinjë që ofrojnë bashkëpunim”. Kështu është shprehur komandanti i FSK-së, gjeneral Sylejman Selimi, gjatë një interviste për mediat. Selimi po ashtu ka vlerësuar se në një të ardhme jo të largët, Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë e NATO-s. “Ne do të dëshmojmë se Forca e Sigurisë së Kosovës dhe vetë shteti i Kosovës po zhvillohen me hapa të shpejtë. Kosova i ka dyert e hapura dhe është në interes të vendit dhe të qytetarëve të saj që të integrohen në BE dhe në këtë kuadër edhe FSK-ja dëshiron në një të ardhme jo të largët që të jetë pjesë e NATO-s”. I pyetur rreth kërkesës serbe që të rishikohet Marrëveshja e Kumanovës, e nënshkruar në vitin 1999 ndërmjet NATO-s dhe Serbisë, e cila largoi forcat serbe nga Kosova, Selimi tha se kjo ka të bëjë me politikën dhe diplomacinë. “E rëndësishme është që Kosova është në rrugë të mbarë, ka institucione legjitime dhe demokratike. Sa i përket Marrëveshjes së Kumanovës, ajo është një marrëveshje ndërmjet NATO-s dhe Serbisë”, - tha Selimi.

23 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›