Gjykata Administrative, Topalli: Opozita ta votojë
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje një përfaqësi të koalicionit në përkrahje të Gjykatës Administrative, në përbërje të të cilit janë rreth 35 organizata biznesi të cilat kërkuan nga Topalli miratimin e shpejtë të projektligjit. Duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm këtë ligj, Topalli shprehu mbështetjen dhe tha se ky ligj është në rend të ditës së punës së Parlamentit dhe do të votohet në momentin e parë që konfigurimi i Parlamentit të plotësohet, pasi për këtë ligj kërkohen tre të pestat e votave. Përfaqësuesit e koalicionit, duke qenë të ndërgjegjshëm se ky ligj kërkon një shumicë të cilësuar, shprehën shqetësimin e tyre për pamundësinë e miratimit të këtij ligji, të cilin e cilësuan si një ligj thelbësor të reformës në drejtësi dhe një ligj nga i cili nuk përfitojnë vetëm bizneset, por të gjithë qytetarët. Kryetarja e Kuvendit, duke e cilësuar këtë ligj si produkt të një procesi serioz, tha se është në interes të Parlamentit miratimi i tij sa më parë, duke u garantuar përfaqësuesve të koalicionit përkrahjen e saj jo vetëm për këtë ligj, por për çdo nismë që ndikon në përmirësimin e kushteve për biznesin dhe sigurinë e investimeve vendase dhe të huaja.