Tërmeti, Olli: Asnjë banor në qiell të hapur
Ministria e Brendshme, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, hedh poshtë deklaratat e papërgjegjshme të PS-së për trajtimin nga qeveria të dëmeve të tërmetit në Dibër. Duke e cilësuar si mungesë informacioni dhe keqpërdorim fatkeqësie natyrore për interesa të mirëfillta politike, drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli, njoftoi dje masat e marra nga strukturat shtetërore për menaxhimin dhe trajtimin e situatës së krijuar nga tërmeti në Dibër. Sipas tij, për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i rënë në Qarkun Dibër, më 6 shtator, 2009, me urdhër të ministrit të Brendshëm, nr. 593, datë 9.9.2009, u ngritën grupet e vlerësimit me përbërje: specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, specialistë inxhinierë ndërtimi të Entit Kombëtar të Banesave dhe të Inspektoratit të Ndërtimit, specialistë të Këshillit të Qarkut dhe Prefekturës Dibër, si dhe përfaqësues të komunave të prekura nga ky tërmet. “Inspektimi dhe vlerësimi i shtëpive të dëmtuara nga tërmeti u krye nga data 9.9.2009 deri më datë 30.9.2009. Grupet e vlerësimit inspektuan shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti në komunat Gjoricë, Shupenzë, Zerqan, Fushë-Bulqizë, Maqellarë, Muhurr, Ostren dhe Trebisht”, - u shpreh z. Olli. Ai vuri në dukje se grupet e vlerësimit të dëmeve hartuan formularët e dëmeve për 1437 shtëpi, si dhe u inspektuan dhe 1100 shtëpi të tjera me dëme të papërfillshme. Gjithsej, u inspektuan rreth 2500 shtëpi. Drejtori i Emergjencave përmendi se nga ana e Këshillit të Qarkut Dibër dhe komunave është mundësuar kalimi i fondeve në llogari bankare për familjet në masën 100% të familjeve. Sipas tij, pesë grupe me specialistë të Ministrisë së Brendshme kanë qenë pranë Këshillit të Qarkut Dibër për verifikimin e situatës dhe shpërndarjen e fondeve të miratuara nga qeveria. Për disa kërkesa të banorëve të zonave të prekura nga tërmeti është ngarkuar Këshilli i Qarkut Dibër për vlerësimin e dëmeve të mundshme ose rivlerësime.