Topalli-Miesch: Bojkoti i PS-së, rruga e gabuar
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, u takua dje me deputetin zviceran Christian Miesch, i cili, sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, tha se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri ishin më transparente se në çdo vend tjetër evropian. Nga ana e saj, Topalli tha se i gjithë kuadri zgjedhor, përfshirë Kodin, ndërtimin e KQZ-së, regjistrin e zgjedhësve, kartat e identitetit, transparencën në numërim ishin standarde të arritura për herë të parë në Shqipëri e që bënë që këto zgjedhje të ishin më të mirat e realizuara ndonjëherë. Kryetarja Topalli foli për raportin e fundit të OSBE-së, ku ambasadori Bosch shprehej se “zgjedhjet shënuan një progres të prekshëm për sa i përket regjistrimit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor të miratuar në mënyrë konsensuale nga dy partitë kryesore në vend, për sa i përket votimit, numërimit dhe gjykimit të konflikteve zgjedhore”. Po ashtu, sipas saj, ishte shumë inkurajues vlerësimi i raportit se “pretendimet për parregullsi në lista, për mosshpërndarje të kartave të identitetit apo për njerëz të liruar për shkak të fushatës, ishin të pabazuara”. Duke folur rreth Asamblesë së OSBE-së së mbajtur në Athinë pak javë më parë deputeti Miesch nënvizoi se Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së Soares e konsideroi një sukses misionin e OSBE-së në zgjedhjet në Shqipëri. Nga ana e tij raporteri Miesch theksoi se “bojkoti nuk është zgjidhje”. Kryetarja e Kuvendit tha se shumë reforma të rëndësishme, veçanërisht për sa i përket sistemit të drejtësisë dhe ligjeve që kanë të bëjnë me liberalizimin e vizave, kërkojnë praninë e opozitës, ndaj dhe ftesa që deputetët të vijnë në Parlament është gjithnjë e hapur.