Gjykata Administrative gati ne 2013 ne te gjashte qarqet

Gjykata Administrative nga pikëpamja ligjore është ende në situatën e një ngërçi politik. Ende nuk është ngritur Kolegji Administrativ në Gjykatën e Lartë, për shkak të bllokimit nga opozita të ndryshimeve ligjore. Por nga pikëpamja infrastrukturore, situata është tjetër. Ministria e Drejtësisë, po avancon për ta vënë në funksion në afatet e përcakuara me konsensus mes dy palëve në ligjin organik për organizimin dhe funksionimin e gjykatës që zgjidh mosmarrëveshjet e bizneseve apo të qytetarëve me shtetin në një kohë të shkurtër. Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, Arben Gjalpi bëri të qartë për “ABC News” panoramën mbi ecurinë e një procesi të tillë.
Gjykata Administrative e Tiranës përfundon në nëntor, afro 2 muaj para se ajo të vihet ligjërisht në funksion. Ka përfunduar tenderimi i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, e cila do të jetë pranë asaj ekzistuese. Në proces pune janë edhe 5 gjykatat e tjera në qarqet e Shkodrës, Korçës, Gjirokastrës, Durrësit dhe Vlorës në mënyrë që nga pikëpamja infrastrukturore asgjë të mos mungojë më në fillim të vitit 2013. Ajo çfarë zyrtari i lartë i Ministrisë së Drejtësisë thekson është se me këto gjykata marrin fund gjyqet në zyrat e gjyqtarëve për mungesë ambientesh
Ndonëse për shkak të bllokimi të saj nga opozita, fondi i qeverisë amerikane prej 16 milion dollarësh për ndërtimin e kësaj gjykate u dogj, qeveria shqiptare ka ndjekur të njëjtat parime për vënien në funksion të saj edhe nga ana infrastrukturore, të përcaktuara që atëherë në programin për sfidën e mijëvjeçarit. Edhe planifikimi i buxhetit do të jetë i mjaftueshëm
Përzgjedhja në Laprakë e ngritjes së Gjykatës Administrative të Tiranës tek Instituti i Kërkimeve Zooteknike nuk ka qenë rastësore. Është marrë parasysh edhe ndikimi pozitiv i saj në zhvillimin e zonës, krijimi i hapësirave të bollshme, mbi të gjitha siguria e gjyqtarëve dhe qytetarëve
Muajt në vijim deri në fund të vitit, paralelisht me përgatitjen e godinave në Tiranë dhe rrethe, do të përcaktohen dhe gjyqtarët që do të trajtojnë, çështjet administrative, në varësi të fluksit që do të ketë çdo qark.