Zbulohet shtepia me kanabis sativa

Policia e Gjirokastrës ka shembur me blind murin rrethues të një shtepie në fshatin Lazarat dhe ne bahçe u zbuluan rreth 200 rrënjë bime narkotike, kanabis sativa të kultivuara nga të zotët e shtëpisë dhe që ishin maskuar nga jashtë me misër.
Forcat e ndërhyrjes së shpejtë nën drejtimin e antidrogës, pasi kishin marrë informacion për oborrin e mbjellë me drogë, organizuan edhe operacionin për hyrjen në këtë banesë, në të cilën prej vitesh nuk shkelte askush përveç të zotëve.
Pasi u gjetën bimët narkotike, sipas njoftimit zyrtare, është bërë arrestimi i Zenel Bashës si dhe bashkëshortes se tij Merita Basha. Kjo e fundit, ishte e shpallur në kërkim nga ana e policisë pasi është e dënuar me vendim të formës së prerë nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër me 3 vite burg për kultivim kanabis sativa vite më parë. Operacionet e policisë kundër kultivimit të bimës narkotike vazhdojnë jo vetëm në Lazarat, por edhe në akset rrugore nga ku bëhet transportimi i drogës. Thuajse çdo dite policia e Gjirokastrës, raporton për kapje të kanabis sativa, në parcela ose gjatë transportit.