Panariti Pakti detar ceshtje e ndare nga projekti TAP
Projekti TAP është një çështje e cila jo vetëm që nuk kufizohet nga marrëveshja për paktin detar me Greqinë, përkundrazi shteti helen dhe ai italian kanë dhënë mbështjen e tyre për realizimin e tij, ku përfshihet dhe Shqipëria. Një qëndrim i tillë u bë i ditur nga vetë ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, i cili gjatë një komunikimi me mediat, sqaroi lidhur me një debat të tillë, i trajtuar ditëve të fundit nga mediat greke. Sipas Panaritit, TAP dhe pakti detar do të zhvillohen si çështje krejtësisht të ndara nga njëra-tjetra.
“Jemi në rrugë të mbarë. Për projektin TAP kam marrë mbështetjen e dy homlogëve të mi, atij italian dhe grek. Pakti për ujërat është i ndarë nga marrëveshja për TAP. Pikë referimi për të do të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Është ngritur një grup pune për këtë çështje. Ndaj duhet të sqaroj se vizita ime në Athinë është normale, në vijim të vizitës në Itali, ashtu sikurse do të vijoj këtë axhendë dhe në Maqedoni, Mal të Zi. Vizita e parë është në kuadër të marrëdhënieve bilaterale me Greqinë”, u shpreh ministri Panariti, gjatë fjalës së tij.