Gjykata Administrative ngec tek ekspertët
Shqyrtimi i projektligjit për Gjykatën Administrative është shtyrë më tej, pasi deputetët e opozitës kanë qenë të pakënaqur me punën e ekspertëve. Në draftin e plotësuar nga Ministria e Drejtësisë, opozita ka shprehur përsëri vërejtje në Komisionin e Ligjeve. “Janë shtuar të gjitha propozimet e opozitës”, - tha ministri Enkelejd Alibeaj. Por nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se vërejtjet nuk janë marrë tërësisht parasysh, duke kërkuar rivlerësim të tyre. Kryetari Ilir Rusmali dha edhe disa ditë kohë për ekspertët. “Propozoj ta shtyjmë përsëri diskutimin e projektligjit për ditën e hënë dhe t'i kërkojmë Ministrisë së Drejtësisë që të vërë në dispozicion të gjitha kapacitetet e veta nga dita e sotme. T’u kërkojmë ekspertëve të huaj që e asistojnë këtë projektligj, nëse mund të jenë gjatë këtyre ditëve në takime ekspertësh pranë ministrisë për të diskutuar të gjitha detajet, propozimet e sugjerimet”, - tha Rusmali. Drafti parashikon krijimin e gjykatave administrative me qëllim mbrojtjen e biznesit nga rastet abuzive të administratës shtetërore, si dhe parandalimin e zvarritjeve në gjykime. Një tjetër debat në këtë komision u bë në lidhje me një ndryshim që bëhet në ligjin e urbanistikës, i cili ul taksën vendore të infrastrukturës nga 3.5 për qind në 0.5 për qind. Opozita e kundërshtoi me pretendimin se prek buxhetet lokale, por deputetët e djathtë i thanë “po” këtij ndryshimi.