E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Brenda 2009-s, pa viza në Kroaci



Brenda vitit 2009, shqiptarët do të mund të lëvizin pa viza drejt shtetit kroat. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kreu dje një vizitë zyrtare në Kroaci ku u takua me nivelet më të larta të shtetit fqinj. Gjatë kësaj vizite, Topalli mori garancinë se gjatë këtij viti, mes dy vendeve nuk do të ketë regjim vizash. Një garanci të tillë kryeparlamentarja e mori nga Presidenti kroat, Stjepan Mesiç. “Brenda këtij viti do të heqim edhe regjimin e vizave mes dy vendeve dhe duhet të shfrytëzojmë çdo mjet komunikimi tokësor, ajror dhe detar për të afruar edhe më shumë dy popujt, por edhe për të rritur shkëmbimet tregtare”, - tha Mesiçi. Nga ana e saj, Topalli tha se së bashku me Kroacinë, rruga do të jetë e njëjtë edhe drejt Bashkimit Evropian. Kryetarja e Kuvendit vijoi vizitën e saj zyrtare me takimin me homologun e saj kroat si dhe me Kryeministrin e Kroacisë. Gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit të Kroacisë, Luka Bebiç, Topalli tha se tashmë Shqipëria ndodhet në një realitet të ri. “Në fakt, ajo që ne presim të ndodhë pas 30 ditësh, është ngjarja më e madhe, më e rëndësishme që i jep siguri dhe garanci vendit, që e sheh Shqipërinë në një këndvështrim tjetër nga aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë dhe që e vendos Shqipërinë me përgjegjësi dhe me të drejta të barabarta me faktorët dhe aktorët kryesorë politikë dhe ekonomikë të globit tone”, - deklaroi Topalli. Kreu i Kuvendit kroat tha se Shqipëria ka bërë hapa para. Ai deklaroi se Kroacia do të ndihmojë Shqipërinë në rrugën drejt BE-së, pasi sipas tij, hyrja në NATO e Shqipërisë ishte një arritje thelbësore. “Rrugëtimi ynë është i përbashkët deri në NATO, të njëjtën gjë i dëshirojmë edhe Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Kroacia i ka kaluar disa hapa të këtij rrugëtimi, dhe jemi shume afër përfundimit të kontratës me BE-në. Ne dëshirojmë që edhe Shqipëria ta kalojë këtë proces së shpejti dhe Kroacia edhe tani që nuk është anëtare e Bashkësisë Evropiane, do të ndihmojë Shqipërinë, në mënyrë që ta lehtësojmë rrugën e saj drejt BE-së sa më shumë të jetë e mundur”, - tha Bebiçi. Gjatë vizitës së saj në Kroaci, Topalli bisedoi gjerësisht me krerët e shtetit fqinj për shtimin e shkëmbimeve mes dy vendeve. Krahas heqjes së vizave, u diskutua edhe rritja e bashkëpunimit ekonomik. Kryeministri Sanader e njohu kryetaren e Kuvendit me ecurinë e bisedës së bërë edhe me Kryeministrin Berisha gjatë vizitës së tij pak javë më parë në Kroaci. “Kam pasur rastin që pas bisedës me Kryeministrin Berisha, të bisedoj edhe me Kryeministrin turk Erdogan për sa i përket shtrirjes së gazsjellësit Trans-Adriatik në të gjithë rajonin, nëpërmjet Malit të Zi, deri në Kroaci. Kemi përcaktuar takime të ministrave të Energjitikës në Ankara e më pas edhe në Shqipëri dhe jemi optimist që ky projekt madhor në fushën e energjitikës do të konkretizohet shumë shpejt”, - tha Kryeministri kroat. Gjatë vizitës së saj në Kroaci, kryetarja e Kuvendit u shoqërua nga dy bashkëkryetarët e komisionit ad-hoc për NATO-n, Ferdinand Xhaferi dhe Pandeli Majko.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›