E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE, thirrje shqiptarëve: Pajisuni me karta dhe votoni



Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh, u bëri apel qytetarëve shqiptarë të shkojnë në qendra lokale për të marrë letërnjoftimin e ri. Kreu i OSBE-së pa nga afër dje mënyrën e aplikimit dhe këshilloi qytetarët shqiptarë të harxhojnë disa minuta në një ditë për të bërë aplikimin, ndërsa u kujtoi se votimi është një detyrë që duhet përmbushur. “Me sa shoh, aktualisht punonjëset e kësaj zyre nuk janë të gjitha të zëna, si dhe nuk ka radhë të gjata. Në këtë zyrë ka pesë fronte pune dhe po aplikojnë vetëm dy qytetarë. Njerëzit nuk po vijnë aq shpejt sa duhet, pra ka më shumë kapacitet se ata që vijnë, në një kohë kur procedura e aplikimit zgjat vetëm pesë minuta”, - u shpreh ambasadori Bosh. Ai tha se pajisja me letërnjoftime të reja do të bëjë të mundur një proces zgjedhor të pakontestueshëm dhe me standarde. “Ne si OSBE jemi të interesuar për të pasur zgjedhje të lira e të mira e, për këtë arsye jemi të interesuar gjithashtu që njerëzit të vijnë sa më shpejt të jetë e mundur për t'u pajisur me karta identiteti”, -shtoi Boshi. Ambasadori i OSBE-së u bëri thirrje edhe qytetarëve që kanë pasaporta për udhëtim jashtë vendit që të aplikojnë për letërnjoftimin. Sipas tij, votimi është një detyrë qytetare për çdo shtetas. “Të gjithë qytetarët duhet të vijnë në zyrat e aplikimit sa më shpejt që të jetë e mundur për të përmbushur detyrat e tyre si qytetarë të këtij vendi, sepse të votuarit është ende një detyrë e një qytetari të një vendi demokratik”, - tha ambasadori i OSBE-së. Gjatë inspektimit të procesit, me ambasadorin ishte edhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni. Poni i shpjegoi ambasadorit Bosh mënyrën e aplikimit dhe e informoi atë se në zyrat e aplikimit punohet deri në orën 21:00 të mbrëmjes. Zëvendësministri i Brendshëm vuri theksin në interesin e qytetarëve, të cilëve u bëri thirrje të shkojnë për të aplikuar, pasi ekzistojnë të gjitha kapacitetet e nevojshme për aplikim dhe koha për të aplikuar është e shkurtër. Poni premtoi se deri në mesin e muajit procesi do të jetë i shtrirë në të gjithë vendin. “Deri në datën 15 mars procesi do të shtrihet edhe tek të gjitha komunat me popullsi mbi 5 mijë banorë e më tej do të vijojë edhe në komunat më të vogla”, - tha Poni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›