E Diel, 1 Nëntor 2026

Uidhers për Berishën: “Kur krimbi hëngri gjethen e vet, u kthye në flutur”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Pak orë përpara miratimit të ligjit për pastërtinë e figurave në Parlament, kryeministri Sali Berisha nga njëra anë dhe ambasadori Uidhers, nga ana tjetër me fëmijët e shkollës “Fan Noli”, kanë replikuar me fraza simbolike me njëri-tjetrin. Njëri në emër të asaj që e quajti sovranitet i një vendi të lirë, tjetri me cilësinë e përfaqësuesit të një vendi të madh, që, në radhë të pare, kërkon respektimin e demokracisë dhe ndarjes së pushteteve. “Votojmë ligjin, si një nga detyrimet madhore. Ne jemi një vend demokratik dhe nuk bëjmë asnjë hap jashtë standardeve”, - u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se nuk mund të ketë mandat mbi krimin. “A mundet që mbi malin e kockave të dhjetëra mijëra shqiptarëve, të flenë dosjet”? - u shpreh Berisha. Nga ana tjetër, ambasadori Uidhers tregoi një përrallë që përcolli mesazhe të forta. Duke treguar përrallën se si krimbi hëngri çdo ditë e më shumë, derisa i dhimbte stomaku, ambasadori hodhi batutën se vetëm kur krimbi hëngri gjethen e vet, arriti të shndërrohej në flutur! Mesazh i qartë për ata që duan të lexojnë përmes rreshtave të një përalle aktuale. Oreksi i madh për pushtet ka treguar në të shkuarën se dëmton stomakun e atij që kërkon të hajë shumë dhe se asnjëherë nuk është vonë, të rikthehesh në dietë, sidomos nëse ajo sugjerohet nga amerikanët. Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se është një nga detyrimet morale më madhore të ndërgjegjes së shoqërisë shqiptare, e cila ka përjetuar për 45 vjet luftën më të egër të klasave. “Shumica e vendeve ish-komuniste e kanë bërë tashmë këtë gjë, por Shqipëria duhet të ishte e para në distancë, sepse ekzekutimet, burgjet, kampet e përqendrimit, torturat çnjerëzore, persekutimi, në Shqipëri ka qenë shumë më i madh se në të gjitha vendet ish-komuniste, satelite të Rusisë të marra së bashku. Ne jemi një vend i lirë, vend demokratik dhe ne nuk bëjmë asnjë hap jashtë standardeve, në mënyrë kategorike. Për fatin tonë të madh, ekziston në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, këtij institucioni suprem i Evropës për liritë dhe të drejtat, një praktikë dhe një teori aq e gjerë, saqë nuk lë asnjë shkas për mungesë transparence. Edhe një herë, dua t ju informoj se kjo Gjykatë, tempull i drejtësisë për liritë e njeriut, nuk ka pranuar, në asnjë rast, të shqyrtojë në thelb ligjet e lustracionit, sepse i ka quajtur legjitime. Shoqëria duhet të bëjë lustracionin. Ky është morali i së drejtës, morali i shoqërisë së lirë. Nga ana tjetër, Gjykata ka pranuar kufizimin e përkohshëm të disa të drejtave dhe mund të themi se ligjet e lustracionit, nga pikëpamja ligjore kanë pikërisht këtë sjellje. Ju mund të thoni se përse e ka pranuar këtë gjë, për hakmarrje? Kurrën e kurrës. E ka pranuar për antikomunizëm, për ideologji? Jo. Ajo e ka pranuar për një kriter tjetër themelor, për kodin moral dhe etik të atij që punon. Ju i dëgjoni socialistët kur flasin për mandate. Dua t ju bëj një pyetje këtyre zotërinjve: A qëndron mandati mbi krimin? Cili është ai ligj i një vendi të lirë që parashikon mandatin mbi krimin? A mundet që mbi malin e kockave të dhjetëra dhe mijëra shqiptarëve të qëndrojnë karriget e një grushti personash që kanë gjak në duart e tyre? Siç thotë vetë Gjykata, a mund të imagjinohet në një vend të lirë kjo gjë? Kurrë nuk mund të imagjinohet. Ka një kod etik, një integritet që duhet të kesh për të mbajtur atë karrige. Këta persona, për të cilët jo pa qëllim “fryhet” shifra e tyre, unë them se në drejtësi ata janë një numër fare i kufizuar. Unë nuk i bëj aspak përgjegjës ata për “malin” e kockave dhe shpirtrave të pafajshëm, por këta janë të implikuar dhe kanë mbetur atëherë si simbol. Secili prej tyre ka raste të implikimit dhe kanë pasur fatin e keq në diktaturë të kryejnë krimet që kanë kryer, kanë pasur fatin e keq sot të gjenden simbol i krimeve të komunizmit. Nuk ka as burg, as hakmarrje. Këta janë një grup i vogël njerëzish të lidhur me akte varjeje njerëzish, me tela me gjemba e të zvarritur në qytete. Atëherë, kush është ai që mund t i thotë këtij kombi se ti meriton vetëm drejtësinë që bëjnë ata? Jo zotërinj. Kjo është e pakonceptueshme. Ne meritojmë një drejtësi të trupave gjykuese, të bazuara në integritetin e tyre të plotë moral dhe të tillë në këtë aspekt, pra, të paimplikuar, janë mbi 95-96 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Ne, në këtë çështje, do të kemi për bibël vendimet, qëndrimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të Strasburgut. Thuhet që nuk ka të drejtë apeli, por jo, çdo njeri ka të drejtë apeli. Gjykata nuk ka trajtuar asnjëherë në themel ligjet, por në një pjesë të mirë të rasteve që janë ankuar, ajo ka gjykuar në disfavor të tyre, ka gjykuar se vërtet kanë kufizuar të drejtën, por mund të të kufizohet e drejta për atë që ke bërë. Por Gjykata kërkon që t i të mos përdorësh kurrë kundër tij, sot, ato metoda që ka përdorur ai dikur. Ne zotohemi në mënyrë absolute që nuk do t i përdorim. Gjykata kërkon që ti të dëshmosh se i përmbahesh shtetit ligjor dhe ne i përmbahemi shtetit ligjor. Ne e përshtatëm me rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila thotë se edhe ata që nuk kanë përbërë krim me ligjet e asaj kohe, por që përbëjnë krim me ligjet e një shoqërie të lirë, duhet të hetohen dhe ndëshkohen. Ne përmbushim një nga detyrimet më të mëdha morale që kemi ndaj qindra e mijëra shqiptarëve. Po marr vetëm një aspect: le të supozojmë vetëm për një moment se në Shqipëri nuk u ekzekutua asnjë njeri, nuk u dënua e as u burgos njeri, nuk u prek asnjë kishë apo xhami, nuk iu mor askujt prona. Por mjafton largimi i dhjetëra, qindra e mijëra shqiptarëve, që edhe letra nuk u shkruanin dot familjeve të tyre. Ky ligj është një detyrim edhe ndaj diasporës, pjesa e dhimbshme e kombit, që ishin të konsideruar armiq për difinicion, vetëm se jetonin në Itali, Francë, Gjermani, SHBA apo kudo ku ishin. Kjo mjafton”, - përfundoi Berisha.
Ky lajm është publikuar: 23/12/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›