Polici, informator i Hijeve të natës
Që në muajin dhjetor, SHKB-ja ka pasur dosje për inspektorin Besnik Preni, i cili ka rezultuar se komunikonte me një grup hajdutësh, që u goditën për vjedhje kasafortash dhe biznesesh. Bëhet fjalë për grupin e goditur gjatë operacionit “Hijet e natës”, ku informatat dyshohet se i merrte pikërisht prej inspektorit të policisë Preni. Nga ana tjetër, nga hetimet rezulton se ai bashkë me kolegun tjetër Preng Frroku i kishin bërë presion “kapos së xhepistëve”, i njohur me emrin Taqo, për të cilin shumë hajdutë punonin vullnetarisht, me qëllim që të mblidhnin para dhe ta nxirrnin nga burgu, sa herë ai arrestohej nga policia.
Faktet e reja kanë dalë në dritë pas verifikimeve të kryera nga grupi hetimor dhe mendohet se Preni mund të ketë kryer edhe shkelje të tjera, duke qëndruar nën “ombrellën” e zyrtarëve të policisë, të afërm të tij. Burimet policore shpjegojnë se në muajin dhjetor u realizua operacioni policor i koduar “Hijet e natës”, pas një pune disamujore, me metodat speciale të hetimit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Tiranë. Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtatë persona, por që u përgjuan dhe u vëzhguan shumë të tjerë, që nuk u arrestuan. Siç dihet, atyre u numërohen një sërë vjedhjesh biznesesh dhe sidomos kasafortash dhe ishin të veçantë për faktin se punonin vetëm natën. Gjatë gjithë ditës ata flinin gjumë dhe qëndronin të ndarë nga njëri-tjetri, ndërsa në mbrëmje mblidheshin bashkë dhe organizonin goditjen e radhës, prandaj edhe u quajtën hijet e natës. Por, duke hetuar për të kuptuar sa më mirë mekanizmin e tyre, policia zbuloi se një efektiv i tyre, pikërisht Preni, kishte kontakte të vazhdueshme me ta. Madje, ai dyshohet se u jepte informacione të ndryshme, që e implikonin në këtë veprimtari kriminale. Megjithatë, kur grupi u godit, efektivët mbetën të shtangur, pasi ai doli i pastër dhe emri i tij nuk u lakua në çështjen e tyre.
Edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nuk u mor shumë me këtë çështje, derisa emri i tij u shfaq sërish, tashmë si kërcënues ndaj një hajduti. Sipas policisë, Preni dhe Frroku kishin kontaktuar me të njohurin Taqo. Sipas të dhënave, ai është një person që është arrestuar disa herë për vjedhje dhe shumë “xhepistë” të rinj kanë qenë të lidhur me të. Madje, në një rast, kur ai u arrestua, hajdutët kishin paguar para për avokatin e tij, me qëllim që ta nxirrnin nga burgu. Duke mos mbajtur presionin, pasi dy policët i kanë kërkuar atij 30 mijë lekë në javë, Taqo ka kontaktuar me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm dhe u ka treguar se çfarë po ndodhte. Denoncimi ka vënë në lëvizje oficerët e kësaj drejtorie, që për disa ditë radhazi ka mbajtur nën mbikëqyrje dy oficerët e policisë. Natën e arrestimit nga oficerët e SHKB-së dy punonjësit e policisë sapo kishin marrë paratë.
Kryeinspektor Preng Froku, 43 vjeç dhe inspektor Besnik Preni, 34 vjeç, të dy me detyrë ndihmësspecialistë në seksionin kundër krimeve ndaj pronës në Komisariatin e Policisë Nr. 3 hetoheshin edhe nga njësia e përbashkët hetimore kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit. Ata akuzohen për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe arrestimi i tyre erdhi pas një hetimi dymujor me përdorimin e metodave speciale.