“Sheshi Skënderbej, pre e lakmisë së ndërtuesve”
Këshilltari për çështjet e territorit, Flamur Kuçi
Këshilltari i Kryeministrit për çështjet e territorit, Flamur Kuçi, deklaron qeveria shqiptare është e interesuar për të mbështetur çdo iniciativë që synon përmirësimin real dhe zgjidhjen e aspekteve esenciale dhe funksionale të qendrës së qytetit, por s’mund të lejojë përmes një plani të mbushur me interesa klienteliste dhe spekulative.
Sipas Kuçit, procesi i rehabilitimit të sheshit qendror, të udhëhequr nga Bashkia e Tiranës, është jashtë shtratit ligjor dhe punimet që po zbatohen janë të jashtëligjshme.
“Procesi nuk mund të gjejë zbatimin e vet jashtë një rruge ligjore. Kuadri ligjor në fuqi kërkon që çdo ndryshim ndaj planit ekzistues ende në fuqi, i ashtuquajtur Plani Francez (për të cilin ne kemi pasur kontestimet tona), duhet të miratohet nga KRTRSH, i cili është autoriteti që ka miratuar dhe të ashtuquajturin Plani Francez. Përveç këtij aspekti, ditët e fundit disa institucione të rëndësishme, siç janë Ministria e Mjedisit, Ministria e Turizmit apo ISTN që janë autoritete qe jo rastësisht ndodhen në zinxhirin aprovues te objekteve te tilla, kanë shprehur shqetësimet e tyre në lidhje me mungesa të theksuara në dokumentacionin tekniko-ligjor në dosjen përkatëse. Procesi i udhëhequr nga bashkia Tiranë është jashtë shtratit ligjor dhe si i tillë punimet që kryhen sot në Sheshin “Skënderbej”, janë të jashtëligjshme”, u shpreh Kuçi.
Lidhur me defektet e projektit belg, këshilltari i kryeministrit, tha se nga pikëpamja profesionale, projekti nuk ka zgjidhur aspektin themelor, çështjen e funksionalitetit.
“është për të ardhur keq qe sheshi kryesor i qytetit të mos ofrojë shërbimet dhe argëtimet e duhura për qytetarët e tij. Në mungesë të një zgjidhjeje funksionale, në mungesë të atraksioneve përkatëse dhe në mungesë të infrastrukturës tërheqëse përkatëse, sheshi nuk do të arrijë të jetë një element për të tërhequr brenda qytetarin, përkundrazi, do të kemi një qytet me shesh, por një shesh pa qytet. është e rëndësishme që të ndërtohet një proces gjithëpërfshirës ku qytetari ta ndjejë veten dhe të jetë realisht pjesë e një vendimmarrje reale dhe jo viktimë e zgjedhjeve dhe tekave personale të kryetarit të bashkisë”, deklaroi ai, duke shtuar se projekti nuk arrin të jap asnjë zgjidhje të qenësishme për çështjen e trafikut të qytetit.