Qeveria vendos shitjen e naftës “D2” nga të gjithë operatorët
Në mbledhjen e djeshme të qeverisë, kryeministri Berisha bëri të ditur se do t’i jepet fund situatës monopol në shitjen e naftës “D2” në vend, duke lejuar që kjo naftë të shitet nga të gjithë operatorët deri në vitin 2010. “Autoriteti i Konkurrencës me të drejtë i kërkon qeverisë të ndryshojë një vendim. Pas diskutimeve të zgjeruara, mendoj se ne kemi marrë vendimin më të drejtë, jo të shtojmë squfur për mushkëritë e shqiptarëve, por gjithashtu të mos pranojmë situatën pothuajse monopol të një operatori në fushën e naftës. Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, po punon dhe me Autoritetin në mënyrë që operatori i prodhimit të jetë i detyruar ta shpërndajë naftën ‘D2’ tek operatorët e tjerë sipas përqindjeve të caktuara dhe peshës që ka në treg. Nafta ‘D2’ është importuar, por tani nuk do të ketë më import të saj”, - është shprehur Berisha. Ai bëri të ditur se në vitin 2010 nuk do të lejohet shitja e kësaj nafte në Shqipëri. “Në vitin 2010, në qoftë se shqiptarët do të votojnë këtë qeveri dhe unë kam shumë besim tek ata, sepse ata më besojnë mua dhe unë u besoj atyre, nuk do të ketë më naftë ‘D2’ në rrugë. Ajo përmban një përqindje jashtëzakonisht të lartë squfuri. Ne e shtymë me një vit për shkak të kushteve dhe diskutimeve për privatizimin. Ka ende vende që e përdorin naftën ‘D2’, por ne do të përpiqemi të kemi një mjedis të pastër. Ky është dhe një mesazh shumë pozitiv i fillimvitit për të gjithë mjedisorët e vërtetë, jo ata antiglobal”, - është shprehur Berisha.
8 Janar 2009