Meta në Luz të Kavajës: “Do të dyfishojmë investimet në bujqësi”
Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, z. Ilir Meta, i shoqëruar nga sekretari i LSI-së për Bujqësinë dhe Mjedisin, prof.Edmond Panariti, nga anëtari i Kryesisë së LSI-së, deputeti Ndre Legisi, si dhe nga drejtuesit e LSI-së të rrethit Kavajë, zhvilloi një takim në formë bashkëbisedimi me qindra banorë të komunës Luz të Kavajës. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Meta theksoi domosdoshmërinë e investimeve nga ana e qeverisë në dy sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, që është sektori i bujqësisë dhe ai i turizmit. Ai tha se nuk mund të arrihen standarde europiane dhe nuk mundet që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian me këtë nivel të mjeruar në të cilin ndodhet bujqësia aktualisht. Lideri i LSI-së theksoi se zhvillimi rural, siguria ushqimore, niveli i mbrojtjes së konsumatorëve, subvencionimi i fermerëve, janë problematika shumë të mëdha me të cilat përballet sot vendi. “Ndaj, për t’i dhënë fund gjithë kësaj situate kaotike që po kalon vendi, LSI-ja është e vetmja forcë politike që mund ta nxjerrë vendin nga kjo amulli në të cilën ndodhet prej vitesh”, - tha ai. Duke u ndalur në zhvillimet e fundit të politikës, Meta nënvizoi “Është koha që të ndëshkohet ky teatër i shëmtuar politik i bashkëpunimeve të paprincipta mes lidershipit të PS-së dhe të PD-së, jo vetëm me votë, por njëkohësisht edhe përmes afirmimit të një programi shumë të qartë dhe shumë konkret ekonomik dhe social”.
8 Janar 2009