E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI-ja sjell në Shqipëri kompaninë që bëri President të SHBA-së Bill Klintonin

Kompania amerikane “Greenberg Quinlan Rosner Research” pritet të kontraktohet nga LSI-ja për paralizimin e manipulimeve të zgjedhjeve

Shaban Sulçe

Zbardhet emri i njërës prej kompanive që pritet të kontraktohet nga Lëvizja Socialiste për Integrim për paralizimin e manipulimeve në zgjedhje. Ajo është kompania amerikane “Greenberg Quinlan Rosner Research”. Pasi LSI-së iu mohua e drejta për të qenë pjesë e procesit të administrimit të zgjedhjeve në Kodin e ri Zgjedhor, kreu i LSI-së Ilir Meta në përfundim të grevës së urisë tha se LSI-ja nuk do të tërhiqej nga qëllimi i saj për mbrojtjen e votave dhe të zgjedhjeve nga manipulimet. Për këtë arsye, Meta tha se LSI-ja do të kontraktojë kompani të specializuara për hartimin e strategjive për paralizimin e manipulimeve në zgjedhje. Njëra prej këtyre kompanive duket se do të jetë kompania amerikane “Greenberg Quinlan Rosner Research”. Interesant është fakti se kjo kompani është e specializuar gjithashtu edhe për menaxhimin e fushatave elektorale, ndërkohë që ajo është e njohur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kontributin e suksesshëm që dha për zgjedhjen e Bill Klintonit si President i SHBA-ve.

Bisedimet
Burime nga LSI-ja bëjnë të ditur për avancim të bisedimeve për sjelljen në Shqipëri të kompanisë amerikane “Greenberg Quinlan Rosner Research”, e cila do të shërbejë për të hartuar strategji për mbrojtjen e votave, në kushtet kur LSI-së iu mohua në Kodin e ri Zgjedhor e drejta e pjesëmarrjes në procesin e administrimit të zgjedhjeve. Bisedimet midis palëve kanë avancuar dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare pritet të realizohet në ditët në vazhdim. Eksperienca më e fundit në këtë drejtim e kompanisë në fjalë ka qenë menaxhimi i zgjedhjeve të zhvilluara në shtetin amerikano-jugor të Bolivisë. Kompania amerikane “Greenberg Quinlan Rosner Research” është gjithashtu e specializuar edhe në menaxhimin e fushatave elektorale, gjë që do të ishte me mjaft interes për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe koalicionin e drejtuar prej saj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ndërkohë bëhet e ditur gjithashtu se LSI-ja do të sjellë rreth 500 vëzhgues të huaj, personalitete të ndryshme, gazetarë etj. për të monitoruar procesin e ardhshëm zgjedhor dhe për të denoncuar çdo tentativë të dy partive të mëdha për të manipuluar votat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe të partive të tjera.

Kompania

“Greenberg Quinlan Rosner Research” është një kompani studimesh dhe sondazhesh politike me qendër në Uashington DC. Kompania u krijua në vitin 1980 nga Stan Greenberg, profesor i politikave krahasuese në Universitetin e Jales, i cili ndihmoi kongresmenin Christopher Dodd të fitonte një vend në Senatin amerikan, duke organizuar sondazhe nga bodrumi i shtëpisë së tij në New Haven, Konektikat. Më pas, ai themeloi “Grupin e Analizës”, një ekip akademikësh dhe studiuesish profesionalë, të cilët punonin bashkë në organizimin dhe planifikimin e anketave të ndryshme politike dhe brenda dy dekadave “Grupi i analizës” do të kthehej në të suksesshmin “Greenberg Quinlan Rosner”. Më 1990-n, guvernatori i Arkansasit prej pesë mandatesh, Bill Klinton, i kërkoi Greenbergut ta ndihmonte gjatë fushatës së vështirë zgjedhore. Me anë të përvojës së mëparshme dhe grupeve të interesit në Arkansans, Greenbergu hartoi një strategji fituese që e çoi Klintonin drejt mandatit të gjashtë si guvernator, duke siguruar në këtë mënyrë edhe një platformë të suksesshme si kandidat në zgjedhjet presidenciale. Më 1993-shin, kur Klintoni kishte hyrë në Shtëpinë e Bardhë, Greenbergu do të përshkruhej nga Eleonor Klift si “filozofi i Shtëpisë”. Tashmë GQR numëron rreth 70 studiues profesionistë të punësuar në zyrat e tyre në Uashington DC, San Francisko, Kaliforni dhe Londër.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›