E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Berisha dhe Bode të mos tallen me varfërinë e shqiptarëve



Partia Socialiste e ka cilësuar të turpshëm debatin midis kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, për shifrat e rritjes ekonomike në Shqipëri. Zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, tha se debati midis Berishës dhe Bodes për shifrat e rritjes ekonomike ishte vetëm një tallje e tyre, ndërkohë që shqiptarët vuajnë dhe vdesin për bukën e gojës, siç ishte rasti i të ndjerës Suzana Kapxhiu, e cila humbi jetën teksa çmontonte predhat në Kombinatin e Poliçanit. “Dje, pasiguria kronike e këtij shteti mori jetën e një punëtoreje fatkeqe. Në të njëjtën ditë, në sallën e qeverisë luhej një skeç banal mes Sali Berishës e Ridvan Bodes për rritjen ekonomike. Të dy talleshin. Dje, lufta për mbijetesë në atdheun e varfërisë e të papunësisë, që rritet përditë, vrau një grua të pafajshme, e cila çmontonte predha për një rrogë qesharake në një punë të pasigurt shteti, ndërkohë që Sali Berisha bënte sikur grindej me ministrin e tij për shifrën e rritjes ekonomike. Të dy gënjenin. Dje, një nënë la pas dy fëmijë jetimë në një familje të këputur nga skamja në qytetin e varfër të Poliçanit, ku nuk mbërriti asnjë ngushëllim nga qeveria, së cilës për shkak të mungesës së çdo kushti sigurie iu vra një punonjëse e ndershme”, - tha Kodheli. Në emër të PS-së, ajo kërkoi nga kryeministri Berisha dhe ministri i Financave, Ridvan Bode, që t’i japin fund talljes që po u bëjnë shqiptarëve, duke i mashtruar për rritje ekonomike të Shqipërisë gjatë qeverisjes së tyre. Kodheli kërkoi gjithashtu nga qeveria që të ndihmojë financiarisht famijlarët e të ndjerës Kapxhiu. “Kryeministri dhe ministri i Financave të dalin nga rolet e skeçit banal të rritjes së hatashme ekonomike dhe të bëjnë detyrën për këta muaj që u kanë mbetur duke e filluar nga rimbursimet e shpenzimeve të varrimit për të ndjerën Suzana Kapxhiu, si edhe nga lidhja e një pensioni për dy jetimët e saj”, - tha zëdhënësja e Kryesisë së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli.

8 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›