E Diel, 1 Nëntor 2026

Lulzim Basha jep alarmin: Situata e përmbytjeve po precipiton shpejt

Organizimi Mblidhet Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile. Urdhërohen evakuimet

Situata e përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës është konsideruar shumë serioze nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili ka mbledhur me urgjencë dje Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile. Kjo strukturë, që u krijua me Vendim të Këshillit të Ministrave në muajin janar, gjatë përmbytjes së parë të Nënshkodrës, është duke u përballur tashmë me përmbytjen e tretë në më pak se katër muaj. Ministri Basha tha dje se “situata në krahasim me situatat e mëparshme nuk mund të konsiderohet e agravuar, por precipitimi ka qenë shumë i shpejtë”. Për këtë arsye, ai ka kërkuar një monitorim të plotë, një gatishmëri të plotë të të gjitha institucioneve dhe një koordinim sa më të mirë të të gjitha ministrive të linjës dhe pushtetit vendor.

Anëtarët e Komitetit Ndërministror u njoftuan se niveli i liqenit të Fierzës ka arritur në 296.62 metra nga 296 metra që është kuota maksimale dhe për të mirëmenaxhuar situatën, shkarkimi total nga liqenet e kaskadës së Drinit, ka arritur në 2060 metra kub në sekondë.

Si pasojë e reshjeve dhe shkarkimeve nga hidrocentralet deri dje në mesditë ishin përmbytur rreth 1280 hektarë tokë. Situatë më problematike paraqitet në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit, i cili është izoluar nga uji, si dhe në fshatin Ashtë të Komunës Bushat ku kërcënohen nga ujërat dhjetë shtëpi për shkak të erozionit në bregun e Drinit, banorët e të cilave po evakuohen nga efektivët e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.

Duke theksuar faktin se situata është rënduar dhe ka precipituar në mënyrë të shpejtë, ministri Basha kërkoi bashkëpunimin e të gjitha institucioneve përkatëse në terren dhe një ndjekje të vëmendshme për të parandaluar dëme të mëtejshme të infrastrukturës primare dhe sekondare dhe për të garantuar jetën dhe sigurinë e banorëve të zonës. Në zbatim të direktivave të këtij komiteti, Komisioni i Emergjencave Civile ka vënë në gatishmëri fazën e parë të planit të evakuimit për pjesët në rrezik afër “njollës” së përmbytjes.

Komiteti Ndërministror përcaktoi si detyra kryesore marrjen e masave nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit për të grumbulluar ujë të pijshëm dhe një sasi ushqimesh për ndërhyrje në rast përkeqësimi të situatës. U la detyrë gjithashtu mobilizimi i të gjitha strukturave operacionale në terren, riaktivizimi i dhomave operacionale pranë institucionit të Prefektit.

Komiteti do të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme argjinaturat, zbatimin e masave për situatën shëndetësore të banorëve të zonës, si dhe mobilizimin e mjeteve të mjaftueshme logjistike për të ekzekutuar evakuimin e popullsisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›