E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Kushtetuese, sa autoritet?

Po flitet gjithnjë e më shumë për Gjykatën Kushtetuese. Nga politika, por dhe nga qytetarët, anipse duhet ta pranojmë se kultura juridike e shoqërisë sonë, me gjithë numrin gjigant të të regjistruarve në fakultetet e Drejtësisë, është ende e ulët.

Mes asaj çka flitet, në formatin politik të ditës së mërkurë në "Top Show" u veçua diçka, që lidhet me moszbatimin e vendimeve të kësaj gjykate të epërme. Janë 12 në rreth 100 vendime të marra prej kësaj gjykate, diçka e paimagjinueshme në një vend perëndimor. Të ftuarit në emision, Enkelejd Alibeaj, ministër i Drejtësisë, Damian Gjiknuri, ekspert i drejtësisë, si edhe pedagog i së drejtës, Denar Biba, këshilltar në Gjykatën Kushtetuese dhe Mentor Nazarko, shef i departamentit të shkencave politike të universitetit "Marin Barleti" bënë një bilanc të rolit të Gjykatës Kushtetuese në këto 16 vjet eksperiencë të sajën, duke hyrë edhe në historinë e rasteve.

Dudushi: A ndihen vetë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të kënaqur me bilancin e punës së tyre?

Biba: Edhe pse kërkon temë studimi, vetë mosha 16-vjeçare flet. "Adoleshenti shqiptar" është premtues. Pas ‘98, pas Kushtetutës, ka ecur përpara duke dhënë gur kilometrik.

Dudushi: Po ekzekutivi?

Alibeaj: Jo gjithmonë. Ekzekutivi do ishte i kënaqur kur në çdo kohë dhe rrethanë të thuhen të njëjtat gjëra. Për këtë shkak, ekzekutivët shpeshherë kanë qenë jo të kënaqur, jo konfort. Konfliktet mes pushteteve janë argument i gjykatës, por nuk përcaktojnë detyrime barrë për ekzekutivin. Ekzekutivi më tepër se për këto gjykata, merakoset për humorin e grupeve të ndryshme pas vendimeve të gjykatës. Në disa raste, Gjykata Kushtetuese mund të ishte treguar më e guximshme dhe më aktive, për të mos pasur kritika nga Gjykata e Strasburgut.

Dudushi: Megjithatë, kritikët venë theksin te shpenzimet e mëdha për një vend të vogël dhe një qeveri shërbesash. Ka 9 gjyqtarë që zgjidhin mesatarisht nga 3- 4 çështje në vit.

Alibeaj: Një gjykatë e tillë i meriton këto shpenzime, por nuk duhet të flasim për këto. Pasi me vendimin e saj mund të sjellë të mira që t‘i shlyejë të gjitha shpenzimet e saja. Më vjen keq për marrëdhëniet mes Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë, sepse Kushtetuesja ka tentuar të japë zgjidhje që nuk i takon juridiksionit të saj. Pasi brumi mbi të cilin operojnë është i ndryshëm. Praktika ka treguar që jo gjithmonë është bërë dallimi midis këtyre gjykatave, që vetëm emrin kanë të përbashkët.

Nazarko. A është normale kritika ndaj Kushtetueses?

Alibeaj: Nuk jam dakord me konsiderimin që Kushtetuesja është garant i Kushtetutës, por palët që kanë rënë dakord kush është goja e Kushtetutës. I jep forcë arsyeshmëria e vendimeve nga fillimi deri në fund. Dhe kjo gjykatë nuk ka qëndruar gjithmonë strikt. Gjykata Kushtetuese nuk duhet parë e shkëputur nga institucionet e tjera dhe duhet të ketë të njëjtin ritëm, por më duket se ka një lloj aritmie. Autoriteti i saj dhe vendimet e saja janë të vetëzbatueshëm.

Dudushi: Si ju duket komenti i zotit Sollaku? (lidhur me padinë e Sollakut dhe përgjigjen e Kushtetueses, Sollaku shprehet në kronikë se në fakt, ajo është shprehur 100% në favor të institucioni të prokurorisë, duke rikonfirmuar edhe njëherë qëndrimin e dhjetorit të 2006)

Gjiknuri: Në rastin e Sollakut vetëm procedura është e rregullt nga pikëpamja formale, por shkaku nuk qëndron. Kuvendi ka shpërfillur në mënyrë flagrante, duke mohuar drejtësinë kushtetuese.

Alibeaj: Është një zigzag i madh i Gjykatës Kushtetuese. Askush nuk ka lindur Prokuror i Përgjithshëm. Gjykata Kushtetuese në një rast të tillë mund të shikojë vetëm procedurën, por jo funksionet kusht. Procedura është respektuar, por nuk jam dakord me trajtimin e komisioneve hetimore, pasi i heq të drejtën Parlamentit të vlerësojë punën e një organi shtetëror. Pasi duhet parë se si ai ka administruar punën dhe prokurorët. Lidhur me ligjin e gjobave, ka konfrontim të madh. Ligji është rrëzuar, duke hequr pagimin e gjobës mbi principalin. Gjykata Kushtetuese ka bërë edhe një gabim tjetër duke marrë në shqyrtim një ligj duke mos pasur një rast konkret dhe ky është tejkalim i madh i së drejtës së gjykatës. Dhe Gjykata Kushtetuese duhet t‘i japë mundësi edhe pushteteve të tjera të parashikojnë veprimet e tyre, jo të varen nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Gjiknuri: Atëherë ç‘duhet të thonë bizneset, që nuk parashikojnë dot punën e tyre?

Alibeaj: Gjykata nuk mund të dalë mbi sovranin dhe sovrani është Parlamenti. Dhe nuk mund të dalë dikush tjetër të eklipsojë, se pa dashje mund të kalohet në tirani gjyqësore. Kushtetuesja kur thotë që diçka është kushtetuese, duhet të thotë gjithmonë që ajo është kushtetuese, ky është problemi.

Nazarko: Parlamenti veproi mbi bazë të lëndës së parë të ofruar nga Ministria e Drejtësisë. Dhe kjo mazhorancë ka tendencë, që institucionet e pavarura të vendosin nën akuzë, kufizime mandati, duke i vendosur nën trysni në emër të asaj që ministri tha në kuadër të sovranit.

Alibeaj: Ne i konsiderojmë institucionet të pavarura ose jo, dhe ky është kurthi më i madh që bëhet. Po sjell vetëm një shembull, për të konkretizuar dy standardet e Kushtetueses. Po të krahasojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për "Zogun e Zi" nuk është i njëjtë me vendimin e 99-të për një rast të tillë, vetëm pse në krye të bashkive në 99 dhe në rastin e "Zogut të Zi", ishin forca të ndryshme politike. Gjykata Kushtetuese është një e mirë e të gjithëve dhe nuk mund të mbajë anësi.

Dudushi: Nga një analizë e zonjës Tefta Zaka, eksperte e nderuar, ish-anëtare e Gjykatës Kushtetuese, del se paradoksalisht qeveria, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ndonjëherë pushteti lokal, janë moszbatuesit më të mëdhenj. Si ta shpjegojmë këtë situatë?

Alibeaj: Duke hequr dorë se kush ka faj. Duhet parë arsyeshmëria, "racio" e vendimeve të Gjykatës. Vendimet e saja janë akte normative dhe nuk se ka moszbatim të këtyre vendimeve. Çështja është në faktorin politik. Gjykata Kushtetuese nuk detyron askënd në këtë shtet të bëjë diçka. Ajo orienton në cipën e institucioneve. Mirëpo, ato respektohen kur janë të arsyeshme. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë autorespektuese.

Gjiknuri: Vërtet gjykata nuk ka mekanizma për zbatueshmërinë, por duhet të jetë klima për të respektuar. Arsyetimi i saj të pëlqen apo jo duhet zbatuar. Respektimi i kushtetueshmërisë është vlerë dhe kur kërkojmë të integrohemi le ta nisim nga këto vlera.

Alibeaj: Rregullon sjelljen politike të institucioneve dhe jo individëve. Gjykata është fiksion kushtetues politik jo partiak. Në qoftë se pozicionohet saktë në frymën kushtetuese, të njohë sovranin dhe kufizimin e juridiksionit të vet, atëherë ajo do të ketë sukses në zbatueshmërinë e vendimeve të saja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›