Shkodër, Prençi inspekton bregdetin
Zëvendësministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Prençi, kanë ndërmarrë një inspektim në zonat turistike. Ditën e djeshme, ata kanë vizituar Velipojën dhe Shëngjinin. Sipas policisë, me rastin e fillimit të sezonit turistik, Strazimiri dhe Prençi inspektuan këto dy zona turistike me qëllim për të parë masat e marra nga policia për ruajtjen e garantimin e rendit e sigurisë publike. Strazimiri, gjatë dy takimeve me punonjësit e policisë, e vuri theksin në masat e marra për parandalimin e aksidenteve rrugore, si dhe në parandalimin e fenomenit të zjarrvënies. "Sezoni turistik bën që në Velipojë dhe Shëngjin të kemi një dyndje të madhe të turistëve, prandaj është e domosdoshme që ne të jemi në gatishmëri në çdo kohë dhe moment. Duhet t‘i jepet prioritet parandalimit të aksidenteve rrugore në këto zona, duke shtuar edhe patrullat e policisë në akset kryesore. Një vëmendje të veçantë duhet të kemi në parandalimin e zjarrvënieve të qëllimshme", theksoi Strazimiri. Ndërkohë, Prençi u garantoi mbështetje maksimale punonjësve të policisë për ruajtjen e rendit e sigurisë publike gjatë sezonit turistik. "Në territorin e plazheve dhe në rrugët e hyrjes së tyre do të vendosen e ruhen tabelat me numrat e telefonit të shërbimeve të policisë, të shërbimeve të emergjencës, si dhe tabela për zonat e rrezikshme për jetën, me qëllim ardhjen në ndihmë të pushuesve", deklaroi Prençi.