E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata Kushtetuese shqyrton ankesën për rrëzimin e referendumit

Gjykata Kushtetuese ka marrë dje në shqyrtim kërkesën e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, e cila kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së, i cili mohon mundësinë e zhvillimit të referendumit popullor për ndryshimin e kushtetutës. Në Gjykatën Kushtetuese dje është zhvilluar seanca e parë e prezantimit, ku palët nëpërmjet avokatëve të tyre kanë paraqitur argumentet e tyre. Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës është përfaqësuar nga avokati Bledar Fejzo, ndërkohë që të pranishëm kanë qenë edhe Andrea Stefani, Artur Zheji dhe deputeti i LSI-së, Spartak Braho, ndërsa nga pala tjetër ka qenë kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, si dhe juristi i Kuvendit. Pala nismëtare ka kërkuar shfuqizimin e vendit të KQZ-së për dhe interpretimin e neneve 150/1 dhe 177 të Kushtetutës. Sipas Komitetit Drejtues për Mbrojtjen e Kushtetutës, "KQZ ka marrë atributet e kësaj gjykate duke bërë interpretimin e Kushtetutës. Pretendim ky, që është hedhur poshtë nga kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata, i cili, duke mbrojtur vendimin e marrë nga institucioni që ai drejton, ka theksuar se "vendimet e KQZ-së janë administrative dhe si të tilla ankimi duhej të ishte bërë në një gjykatë normale". Gjithashtu, ai ka deklaruar se "KQZ-ja e ka hedhur poshtë pretendimin e nismëtarëve pasi ishin individë dhe jo subjekte politike apo organizata". Tashmë, topi ka mbetur në fushën e Gjykatës Kushtetuese, e cila pritet të mblidhet pas disa javësh, por mundësia më e madhe është për në janar të vitit që vjen, të japë vendimin e saj duke pranuar njërin nga pretendimet e palëve. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, çështja e referendumit përfundoi në Gjykatën Kushtetuese, pasi KQZ-ja hodhi poshtë me pa të drejtë dhe duke tejkaluar kompetencat e veta, kërkesën e nismëtarëve për të tërhequr formularët tip të nevojshëm për mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët. Vetë grupi nismëtar për referendumin dhe Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës, kanë shprehur kritikat e tyre mbi këtë qëndrim të KQZ duke e komentuar si një shprehje të ndikimit të drejtpërdrejtë të lidershipit të PS-së dhe PD-së në vendimmarrjen e këtij institucioni. Për KMK-në, dhe gjithë mbështetësit e një referendumi popullor lidhur me ndryshimet e Kushtetutës, mbetet i papranueshëm jo vetëm fakti i kryerjes së ndryshimeve të dokumentit themelor të shtetit brenda një kohe shumë të shkurtër, pa një debat transparent si të specializuar ashtu edhe publik, por edhe fakti që amendamentet kanë cenuar rëndë parimet liberal-kushtetuese të ndarjes, baraspeshimit dhe pavarësisë së pushteteve në Shqipëri.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›