E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha, jo serioz për reformën elektorale dhe reformën në Drejtësi

Leskaj: “Nuk do ta votojmë ligjin për Prokurorinë, nuk garanton pavarësinë”. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së: “Berisha të mos vonojë zbatimin e Kodit”

Shaban Sulçe

Partia Socialiste akuzon kryeministrin Berisha për mungesë serioziteti në realizimin e reformave, kryesisht atë elektorale. Kryetarja e Grupit Parlamentar, Valentina Leskaj, iu kundërpërgjigj deklaratave të kryeministrit Berisha, i cili deklaroi dy ditë më parë se ishte i gatshëm që përmirësimi i Kodit Zgjedhor të bëhej pas diskutimeve midis kreut të LSI-së Ilir Meta dhe kreut të PS-së, Edi Rama. Leskaj tha se ky është një qëndrim aspak serioz i kryeministrit Berisha, ndërkohë që theksoi se Parlamenti nuk duhet të vonojë procesin e zbatimit të Kodit të ri Zgjedhor.
“Ne e konsiderojmë absolutisht jo serioz qëndrimin e djeshëm të kryeministrit Berisha lidhur me Kodin Zgjedhor, në një kohë që Parlamenti s'duhet ta vonojë në asnjë mënyrë procesin e zbatimit të Kodit për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, - tha Leskaj. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste foli edhe për projektligjin për Prokurorinë, të propozuar nga qeveria, pasi sipas saj, ky ligj nuk garanton pavarësinë e institucionit të akuzës.

Kodi
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e akuzoi kryeministrin Berisha se me diversionet e tij në drejtim të Partisë Socialiste po kthehet në pengesë të realizimit dhe zbatimit të Kodit të ri Zgjedhor. “Vonesa e shkaktuar nga dekreti presidencial, i cili mund të ishte shmangur lehtësisht pa asnjë problem kushtetues nga ana e vetë presidentit, s'duhet të zgjatet pa asnjë nevojë nga ana e kryeministrit. Ne i kujtojmë se ai e ka për detyrë të nxitë zgjidhjen për të garantuar një zbatim rigoroz të Kodit Zgjedhor, duke filluar nga ngritja e menjëhershme e administratës qendrore zgjedhore dhe jo të bëjë cic-mic duke luajtur me fjalë për të bërë diversion ndaj Partisë Socialiste. Nëse Sali Berisha kujton se do ta mbajë në pushtet Ilir Meta me mllefin e pakufishëm ndaj Partisë Socialiste, ky nuk është problemi ynë, por i kryeministrit, i cili nuk duhet të ngatërrojë detyrimin madhor ndaj popullit shqiptar e partnerëve ndërkombëtare për një reformë zgjedhore konsensuale dhe të zbatuar ashtu si duhet me politikën e tij të vjetër të ditës”, - tha Leskaj.

Ligji për Prokurorinë
Leskaj tha se Partia Socialiste është e gatshme për të dhënë konsensuset e saj për realizimin e reformës në Drejtësi. Por kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së la të nënkuptohej se deputetët socialistë nuk do të votonin për ligjin për Prokurorinë, duke e cilësuar atë si cenues të pavarësisë së institucionit të akuzës. Leskaj tha se nuk mund të realizohet reforma në Drejtësi nëse ajo bëhet për hir të interesave politike të palës qeverisëse. “Ne jemi gati për të kontribuar e dhënë konsensus për një ligj të ri që forcon pavarësinë kushtetuese e financiare të Prokurorisë, që rrit efektshmërinë e saj në hetimin e krimit e të korrupsionit, por kurrsesi për një ligj që e kufizon pavarësinë e organit të akuzës dhe prodhon trysni mbi prokurorët. Reforma në Drejtësi s'mund dhe s'duhet mbyllur në rrethin vicioz të interesave politike të palës që qeverisë. Pasi kështu thjesht nuk mund të bëhen reforma”, - vijoi kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së.

Ligji i spiunëve
Leskaj foli gjithashtu edhe për çështjen e spiunëve. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PS-së e akuzoi kryeministrin Berisha se po përpiqet ta ngatërrojë këtë çështje me Gërdecin, duke tentuar të shpëtonte nga drejtësia ministrin e pandehur Lulzim Basha. “Po ashtu kryeministri nuk duhet të ngatërrojë dosjen e spiunëve me dosjet e Gërdecit e të Lulzim Bashës. Nuk mund të përdoret kali i një beteje morale si ajo me hijet e diktaturës komuniste për të shpëtuar të pandehurit e maxhorancës nga hetimi e gjykimi i drejtësisë. Ne jemi gati të japim konsensus për të hedhur dritë mbi të shkuarën e të gjithë atyre që duan të merren me politikë, por jo për të mos lejuar që të merren me profesionin e tyre ata që po hetojnë për të hedhur dritë në gropat e korrupsionit qeveritar”, - tha Leskaj.

12 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›