E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Ligji për Prokurorinë, për të shpëtuar nga drejtësia ministrat e pandehur



Shaban Sulçe
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar ndaj ligjit më të ri për Prokurorinë, të propozuar nga qeveria “Berisha”. Deputeti i LSI-së, Spartak Braho, deklaroi se ligji i propozuar nga Berisha është po aq i dështuar dhe po aq antikushtetues sa edhe ligji që ai propozoi disa muaj më parë. Braho tha se qeveria aktuale nuk mund të bëjë reformë në Drejtësi, pasi ajo është në konflikt interesi me Drejtësinë, duke qenë se një pjesë e mirë e ministrave dhe nëpunësve të saj janë në akuzë. “Ajo që rivëmë në duke sot është se ligji është po ai, dhe po ajo është qeveria dhe po ai Berisha. Kjo qeveri ka konflikt interesi me ligjin. Nuk mund të jetë ajo hartuesja ekskluzive e tij, pasi disa ministra dhe nëpunës të saj janë në akuzë”, - tha Braho. Gjatë prononcimit të djeshëm anëtari i Kryesisë së LSI-së foli dhe për Kodin e ri Zgjedhor, duke i akuzuar Ramën dhe Berishën se po përpiqen që t’ia lënë përgjegjësinë njëri-tjetrit, duke mos u angazhuar seriozisht për përmirësimin e këtij kodi.
Akuzat
Braho tha se ligji për Prokurorinë prek rëndë pavarësinë e institucionit të Prokurorisë, prek dhe cenon mbrojtjen e prokurorëve, prek strukturat vendimmarrëse të Prokurorisë së Përgjithshme si dhe eliminon rolin e presidentit nëpërmjet suprimimit të përfaqësuesit të tij në Këshillin e Prokurorisë etj. Deputeti i LSI-së theksoi se ky ligj i ri nuk përbën aspak ndryshim në krahasim me ligjin e parë, të kontestuar po aq ashpër nga LSI-ja disa muaj më parë. Braho theksoi se ky ligj lidhet me përpjekjet e qeverisë dhe të kryeministrit Berisha për të shpëtuar nga Drejtësia ministrat e tij të pandehur. “Pyetja shtrohet: Pse u përsërit kjo premierë e dështuar teatrale nga maxhoranca ‘Berisha’? Dy janë arsyet; së pari Berisha është në panik dhe i tmerruar. Ministrat e tij po ikin njëri pas tjetrit të akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe veprimtari korruptive, aktive dhe pasive. Dy ministra tashmë janë ulur në bankën e të pandehurve, të tjerë po hetohen. Ngadalë i gjithë kabineti ‘Berisha’ dhe vetë ky i fundit në prag të zgjedhjeve të ardhshme politike, po e mbyllin epokën e qeverisjes së Mega-Vjedhësit e shekullit. Atëherë zgjedhja, sipas tij, është se duhet t'i ndalet dora Prokurorisë, të trembet ajo dhe të goditen veprimet hetimore që po kryhen. Berishës me këtë ligj i duhet një Prokurori e nënshtruar, e bindur dhe e përulur ndaj Ekzekutivit. Berishës i duhet ta trembë Ina Ramën dhe ndihmësit e saj, të angazhuar në hetimin e një sërë aferash korruptive. Së dyti; e dënojmë klimën e presionit verbal dhe vënien në lëvizje të militantëve politikë të PD-së në strukturat e Drejtësisë për të sajuar procese pseudo-procedurale, të cilat u vënë gurë në rrota proceseve hetimore, gjyqësore të pritshme”, - tha Braho, i cili konfirmoi votën kundër të deputetëve të LSI-së dhe grupit parlamentar “E majta për integrim” ndaj këtij projektligji.

Kodi
Duke folur për Kodin Zgjedhor, Braho kundërshtoi indiferentizmin e treguar nga Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama për t’iu përgjigjur ftesës së LSI-së për bashkëpunimin për përmirësimin e Kodit. Nga ana tjetër, Braho e akuzoi kryeministrin Berisha se po përpiqej t’i shmangej përgjegjësisë, duke ia faturuar atë vetëm Ramës. “Lidhur me Kodin Zgjedhor ende nuk ka ndonjë përgjigje nga Partia Socialiste. Edi Rama, ndonëse është kryetar i një partie që ende quhet e madhe, po sillet si i vogël, si adoleshent, duke mos u bërë i përgjegjshëm për t’u dhënë përgjigje ofertave apo angazhimeve, që ditët e fundit janë vënë në lëvizje edhe nga faktori ndërkombëtar për standardet që duhet të kenë zgjedhjet dhe gjithëpërfshirje njëkohësisht në administrimin e tyre. Ndërkohë që Berisha, me prononcimin e tij të djeshëm, përpiqet ta heqë përgjegjësinë para ndërkombëtarëve, duke ia lënë faturën Ramës, por ai harron se kjo faturë është edhe pjesë e përgjegjësive të tij. Ai përgjigjet për standardet e zgjedhjeve, për realizimin e këtyre standardeve dhe tërë procesin zgjedhor, që të jetë gjithëpërfshirës”, - tha deputeti i LSI-së, Spartak Braho.

12 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›