Gjykata Supreme mbyll lëndët e UNMIK-ut

Paneli i përbërë nga pesë gjykatës, tre gjykatës të EULEX-it dhe dy të Kosovës, në Gjykatën Supreme të Kosovës, ka marrë vendim që të përmbyllë të gjitha lëndët penale të kësaj shkalle, të trashëguara nga UNMIK-u.
Vendimi është marrë më 12 janar 2009 dhe disa nga këto lëndë të trashëguara kanë të bëjnë me vepra penale të kryera dhjetë vite më parë.
Këto shqyrtime përfshinin ankesa të shkallës së dytë, shkallës së tretë dhe kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë.
“Akuzat në këto lëndë penale janë të ndryshme, nga ato që kanë të bëjnë me krime lufte deri te veprat penale të larjes së parave, krimit të organizuar, veprave terroriste, marrjes së ryshfetit etj.”, thuhet mes tjerash në një komunikatë shtypi të lëshuar sot nga ELUEX-i.
Në komunikatë gjithashtu thuhet se ekipi i EULEX-it në Gjykatën Supreme është dashur gjithashtu të merret edhe me ankesat lidhur me raste të tjera në Kosovë.
Kryetarja e Asamblesë së Gjykatësve të EULEX-it, Maria Giuliana Civinini, e ka cilësuar këtë si hap të rëndësishëm për EULEX-in.
“Reduktimi i të ashtuquajturës ‘trashëgimia nga UNMIK-u’ ishte një nga prioritetet tona kryesore që kur EULEX-i i arriti kapacitetet fillestare operative në dhjetor të vitit 2008, i cili u realizua në bashkëpunim të mirë me gjykatësit kosovarë. Po ashtu, kemi kënaqësinë të themi se ky hap i rëndësishëm pritet që gjithashtu të arrihet edhe nga ekipet tjera të gjykatësve të EULEX-it në nivelin e gjykatave të qarkut në një të ardhme të afërt”, tha Civinini.
Gjykimi i parë me pjesëmarrjen e EULEX-it në Gjykatën Supreme të Kosovës është mbajtur më 10 mars 2009 dhe vendimi i parë është nxjerrë më 12 mars 2009.
Aktualisht janë pesë gjykatës penal të EULEX-it, dy zyrtarë ligjorë dhe një këshilltar për lëndët penale që punojnë në Gjykatën Supreme, të cilët shoqërohen edhe nga një ekip tjetër i punëtorëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe personeli mbështetës.