E Shtunë, 31 Tetor 2026

I lumtur tek Atletico Madrid

Pasi është prezantuar tek ekipi i ri Atletico Madrid, mesfushori portugez Tiago Mendes, i ka dhënë deklaratat e para. Ai ndihet mjaft i lumtur që do të luajë në kampionatin spanjoll. “Jam mjaft i lumtur që jam këtu.

Dy vjet më parë ekzistonte mundësia që të vija këtu në Atletico. Ndërsa, këtë vit nuk dëshirova që ta lëshoja këtë mundësi. Dëshiroj të luaj, ta shijoj kampionatin spanjoll dhe t’i dhuroj gëzim tifozëve të mi të rinj”, theksoi portugezi për të përditshmen spanjolle AS.

Ai thotë se nuk e zgjodhi Atleticon, për ta fituar një vend në Kombëtare, për Botërorin 2010. “Jo. Nuk kam arritur këtu në Madrid duke menduar në Botëror. Unë e di se e kam besimin tek selektori Carlos Queiroz. Kam ardhur këtu, sepse kam dëshirë të luaj në futbollin spanjoll dhe ta ndihmoj klubin tim të ri”, shtoi Tiago, i cili ka shkuar tek Atletico si huazim nga Juventus, ku nuk gjeti hapësira për të luajtur.

“Nëse mendoj të luaj për një kohë të gjatë këtu? Atletico ka bërë një sakrificë të madhe për të më pasur këtu. Duhet vetëm t’ia paguaj besimin e dhënë me punë të madhe dhe me lojë të mirë. Më pas të shohim”, përfundoi Tiago.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›