E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata administrative, KLD kundër

18/12/2008  Komisioni i Ligjeve dëgjon palët e interesit. Zëvendësi i Topit konteston mënyrën e organizimit

Konflikti me Alibeajn zhvendoset në Kuvend. Spahiu: Nuk na pyetën për draftin

Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë një seance dëgjimore në Komisionin parlamentar të Ligjeve për projektligjin “Për organizimin e drejtësisë administrative” gjykoi se ai nuk sjell asnjë risi në efikasitetin e gjyqtarëve në dhënien e drejtësisë. Së bashku me tre anëtarë të KLD-së, nënkryetari i tij, Kreshnik Spahiu, paraqiti para ligjvënësve vërejtjet dhe sugjerimet e tij për këtë draft, mendime të cilat Ministria e Drejtësisë nuk ia kishte kërkuar këtij institucioni gjatë hartimit të draftit. Kjo pakënaqësi e vogël në dukje, por që duket se mbart një konflikt të ashpër mes dy institucioneve, është evidentuar edhe në mbledhjen e djeshme mes përfaqësuesve të dy institucioneve, me ndihmën edhe të deputetëve të pranishëm.

Vërejtjet

Numri dy i KLD-së, Spahiu, në seancën e djeshme dëgjimore tha se me draftin e qeverisë është njohur vetëm përmes ëebsit-eve, kjo falë të teknologjisë së lartë. Duke iu referuar edhe pyetjeve të deputetëve për qëllimin e krijimit të këtij ligji, në rritjen cilësisë së organizimit të drejtësisë për çështjet administrative, ai tha se ky është një projekt që nuk sjell asnjë risi. “Ajo që do të sillja për kundërargument është: kush merr përsipër nga hartuesit e këtij projektligji të më thotë se çfarë të reje sjell ky projektligj në lidhjen e mosmarrëveshje administrative, në administrimin e një drejtësisë të re administrative, kur deri më sot ne kemi seksione administrative? Ndryshimi nga sqetulla e gjykatës së rrethit gjyqësor në sqetullën e gjykatës së kryeqytetit nuk ndryshon asgjë, veçse rrit inefiçencën”, - theksoi Spahiu gjatë fjalës së tij. Çështja e afateve që parashikohen në ligj si dhe ajo e numrit të lartë të gjykatësve që parashikohet të përfshihen në çështjet administrative ishin shqetësime të tjera të anëtarëve të KLD-së. “Jam shumë dakord që të ngrihet një gjykatë administrative që gjykon rreth 3000 çështje në vit, para një Gjykate për Krimet e Rënda, që ka vetëm 5-10 çështje në vit. Por duhet të përcaktoni cilat çështje do të gjykohen nga një gjyqtar dhe cilat nga 3 gjyqtarë”, - vijoi Spahiu. KLD-ja atakoi edhe nenin për pezullim automatik të aktit administrativ, pasi sipas tij ai lë vend për abuzime. Lidhur me çështjen e standardeve të emërimit KLD-ja kujtoi se kjo duhet të jetë kompetencë e tij.

Konflikti

Nënkryetari i KLD-së ka sqaruar dje se është njohur me draftin vetëm përmes internetit, gjë e cila është përgënjeshtruar nga përfaqësuesja e Ministrisë së Financave Marsida Xhaferllari dhe deputeti i mazhorancës Eris Hoxha. “Zotëri, nuk dua përralla, dua të di a të ka ardhur shkresa”, - pyeti deputeti Hoxha. Në kundërpërgjigje të kësaj, Spahiu e sugjeroi të ruajë etikën. “Ruaj etikën kur i drejtohesh Këshillit të Lartë të Drejtësisë, pasi në KLD nuk tregohen përralla”, - tha Spahiu.

Kreshnik Spahiu (KLD)

“Kush merr përsipër nga hartuesit e këtij projektligji të më thotë se çfarë të reje sjell ky projektligj në lidhjen e mosmarrëveshje administrative, në administrimin e një drejtësie të re administrative kur deri më sot ne kemi seksione administrative? Ndryshimi nga sqetulla e gjykatës së rrethit gjyqësor në sqetullën e gjykatës së kryeqytetit nuk ndryshon asgjë, veçse rrit inefiçencën.”

Sugjerimet

EURALIUS ka adresuar në Komisionin e Ligjeve një sërë sugjerimet për të drejtën e grupeve të interesit që ndjekin qëllime të interesit publik, të ngrenë padi në gjykatat administrative brenda kuadrit respekti ligjor; ndryshime afatesh si dhe dhënia kohë strukturave përgjegjëse për organizimin dhe vendosjen e domosdoshme të personelit dhe marrjen e hapave të tjerë administrativë.

Projektligji

Gjykatat kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, sipas këtij ligji, janë gjykata administrative e shkallës së parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Gjykata e Lartë. Gjykata administrative e shkallës së parë është e organizuar me një gjykatë, në Tiranë, dhe me seksionet pranë gjykatave të rretheve gjyqësore të vendit. Numri i seksioneve caktohen me dekret të Presidentit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›