E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Zgjedhjet e 2009-s - sfida ime personale

18/12/2008  Lidershipi i PS-së prezantoi rrjetin e vullnetarëve të saj në të gjithë vendin

“Fushata jo në duart e politikanëve, të jetë juaja e të shihet si një mjet në duart e qytetarëve”

Partia Socialiste zyrtarizoi krijimin e rrjetit të vullnetarëve të saj në të gjithë vendin. I pranishëm në këtë prezantim, kreu socialist Edi Rama i mëshoi me forcë faktit se do të jetë kjo gjeneratë e të rinjve shqiptarë që do të sjellë ndryshimin e shumëkërkuar në vend. Sipas tij, njëkohësisht duhet të insistohet që shqiptarët të dalin nga kriza e besimit. Por ndalur konkretisht te gara e ethshme elektorale, e cila tashmë sa vjen e ndihet më shumë në sfondin politik, kryetari i PS-së deklaroi qartë se zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 janë sfida e tij personale. “Fitorja e zgjedhjeve ka të bëjë me sfidën time personale, por edhe tuajën, sepse në Shqipëri ka ardhur koha e sfidave të mëdha. Fitorja duhet të jetë vetëm jona”, - u shpreh Rama gjatë fjalës së tij lidhur me zgjedhjet. Sipas tij, zgjedhjet e 2009-s do jenë fitore e të rinjve, që duan ndryshimin. “Shqipëria europiane është ëndrra jonë. Juv të rinjtë do të jeni lajmëtarë të ndryshimit, ju do të sillni fitoren më 2009-n”, - theksoi Rama gjatë fjalës së tij përballë të rinjve vullnetare. Rama nuk harroi gjithashtu të falënderojë të gjithë vullnetarët e PS-së për frymën e re që po përçojnë. “Ju falënderoj për kurajën e jashtëzakonshme që më jepni duke më dhënë kohën dhe energjinë tuaj për të shpërndarë frymën e re të PS-së. Jam i lumtur që ju besoni se ky vend mund të ndryshojë, se një rrugë e re mund të hapet për secilin prej jush”, - theksoi Rama. Por ndërkohë kryetari i PS-së kërkoi nga të rinjtë vullnetarë që të mos e lënë fushatën e ardhshme elektorale në duart e politikanëve, pasi ajo duhet të jetë e kësaj gjenerate, duke u parë si një mjet në duart e qytetarëve, si dhe duke i dhënë fuqi besimit se asgjë nuk është e pamundur, nëse të gjithë bëhen bashkë. Gjithashtu kreu socialist u ndal dhe në premtimet e qeverisjes së ardhshme socialiste. Ai garantoi se me ardhjen në pushtet të PS-së do të garantohet libaralizimi i vizave. Gjithashtu, duke e cilësuar arsimin si politika më e mirë ekonomike, Rama premtoi: “Do t’i bëjmë gjimnazet dhe universitetet hapësira të konkurrencës. Së bashku do të garantojmë ushqimin normal të familjeve, duke normalizuar çmimin, nuk do ta lëmë fshatin në mëshirë të fatit. Do të ulim papunësinë, do të rritim arsimin profesional, do të rritim dritën e shpresës tek të gjithë shqiptarët.” Nga ana tjetër, kreu i PS-së nuk harroi të shigjetonte dhe qeverisjen aktuale për korrupsion dhe fajtore për regresin e vendit.

Synimi

Me moton “Sëbashku do t’ia dalim” Partia Socialiste zyrtarizoi dje ngritjen dhe funksionimin e rrjetit të vullnetarëve të saj në të gjithë vendin. Synimi për të cilin do të funksionojë një rrjet i tillë është i qartë dhe i mirëpërcaktuar. Të rinjtë vullnetarë do të jenë tepër aktiv gjatë gjithë fushatës, duke qenë të pranishëm në çdo shtëpi, në rrugë në ambjente publike e me rradhë, me qëllim që të bindin njerëzit që të votojnë PS-në. Njëkohësisht, çdo vullnetar do të ketë në dorë një formular, i cili përmban pyetje të tilla si çfarë mendojnë njerëzit për kreun Rama, për kë parti do të votojnë. Përmes plotësimit të këtij formulari, lidershipi socialist do të mund të bëjë dhe një sondazh paraprak mbi rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›