E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblimet, mjekët e parësorit përfitojnë një pagë mujore

23/12/2008  Përfitojnë 9300 punonjës në 419 qendra shëndetësore

Shpërblime të tjera për të gjitha kategoritë e punonjësve në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Edhe për këtë fundviti kjo kategori do të përfitojë një pagë mujore shpërblim, ndërkohë që të njëjtën masë përfitimi e kanë marrë edhe në përfundim të gjashtëmujorit të parë të 2008-ës. Kjo në saje të reformës që prej dy vjetësh aplikohet në qendrat e kujdesit parësor në vend. Megjithatë, Instituti i Sigurimeve Shëndetësore pohon se nga dhënia e pagës së dytë shpërblim përfitojnë rreth 9300 punonjës në 419 qendra shëndetësore, shpërblim i cili kërkon një fond prej 260 milionë lekë. Në total masa e shpërblimit për punonjësit e këtyre qendrave shëndetësore, përfshi edhe pagën e dhënë në fund të 6-mujorit të parë, shkon në rreth 440 milionë lekë. Të gjitha këto fonde janë të parashikuara në buxhetin e qendrave për vitin 2008. Bazuar në performancën e realizuar nga qendrat shëndetësore, ISKSH do të shpërblejë të gjithë punonjësit e këtyre qendrave për festat. Ndryshe nga vitet e tjera, shpërblimi nuk do të jetë një shumë fikse e përcaktuar, por bazuar në punën e kryer dhe shërbimin e ofruar ndaj pacientëve. Nga të dhënat rezulton se shpërblimi në këtë fundviti është deri në një pagë mujore për mjekët dhe stafin tjetër. Ky shpërblim bazohet në 10 për qind shtesë për performancë dhe 5 për qind shtesë për cilësinë e shërbimit (bonusi) të ofruar kundrejt pacientëve. Njëkohësisht në bazë të dhënave të publikuara citohet se për 6-mujorin e parë të vitit 2008 të gjitha qendrat shëndetësore kanë dhënë deri në një pagë shpërblim për rezultatet e arritura. Ndërkohë që mbështetur në realizimin e 11-mujorit dhe në buxhetin e akorduar qendrat shëndetësore do të japin deri një pagë tjetër shpërblim për rezultatet e arritura në këtë fundviti. “Nga analiza ka konstatuar se gjatë periudhës janar-nëntor 2008 rezulton se shpenzimet për buxhetin për aktivitet (pra 10 për qind shtesë mbi pagën për performancë) janë realizuar në masën 74.4 për qind në shkallë vendi dhe bonusi (5 për qind shtesë për cilësinë e shërbimit) është realizuar në masën 44.2 për qind. Më mirë në realizimin e këtij treguesi paraqiten qendrat shëndetësore të rajonit Tiranë, të cilat kanë pjesën dërrmuese të buxhetit, më pas renditen Vlora Tropoja, Berati, Kukësi, Korça e kështu me radhë. Ndërsa realizimi i buxhetit për bonus varion nga 24-54 për qind. Më mirë paraqiten Vlora dhe Kukësi, me 54 për qind secila, Dibra 49 për qind, Korça 48 për qind, Shkodra 46 për qind, Tirana 45 për qind etj. Buxheti për bonus për çdo qendër shëndetësor është realizuar nga 2-81 për qind”, - pohohet nga ISKSH. Duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, edhe shërbimi spitalor do të përfshihet në skemën e sigurimeve, gjë e cila do të mundësojë aplikimin e të njëjtës skemë shpërblimesh. Ndërsa për këtë vit mjekët në QSUT, do të përfitojnë 150 mijë lekë të vjetra shpërblim në total.

Masa

Nga të dhënat rezulton se shpërblimi në këtë fundviti është deri në një pagë mujore për mjekët dhe stafin tjetër. Ky shpërblim bazohet në 10 për qind shtesë për performancë dhe 5 për qind shtesë për cilësinë e shërbimit (bonusi) të ofruar kundrejt pacientëve.

Përfituesit

Dhënia e pagës së dytë shpërblim do të ofrohet për rreth 9300 punonjës në 419 qendra shëndetësore, shpërblim i cili arrin në një fond prej 260 milionë lekë. Në total masa e shpërblimit, përfshi edhe pagën e dhënë në fund të 6-mujorit të parë, shkon në rreth 440 milionë lekë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›