E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata bashkon kërkesën e Metës me dosjen penale

24/05/2011  Avokati i Beqirit tërheq dosjen, Gjykata e Lartë shpall pushimin

Vendimi për pavlefshmërinë e videos, në fillim të procesit

TIRANE-Gjykata e Lartë ka bashkuar në një çështje të vetme kërkesën e ish-ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta, për pavlefshmërinë e video përgjimit të regjistruar nga ortaku i tij Dritan Prifti. Vendimi i bashkimit të kërkesës me dosjen penale të dorëzuar nga Prokuroria në gjykatë, është marrë dje nga Kolegji Penal i kësaj gjykate. Në arsyetimin e vendimit Kolegji Penal sqaroi se kërkesa e depozituar nga i pandehuri Ilir Meta, do të shqyrtohet në fillim të nisjes së procesit gjyqësor, atëherë kur dhe palët paraqitin para gjykatës kërkesat paraprake. Vendimi në fjalë është mbështetur në argumentin e përfaqësuesit të akuzës, i cili ka kërkuar një procedurë të tillë, duke shtyrë shqyrtimin në ditët e para të nisjes së procesit gjyqësor kundër Ilir Metës. Mirëpo këtij argumenti ju vunë kundër avokatët mbrojtës të ish-ministrit të Ekonomisë. Ata i parashtruan Kolegjit Penal një sërë argumentesh duke kërkuar shqyrtimin e menjëhershëm të kërkesës për pavlefshmëri të video-përgjimit. Pas dëgjimit të palëve, kolegji penal i Gjykatës së Lartë është tërhequr për të marrë vendimin. Për gati 2 orë anëtarët e kolegjit kanë analizuar kërkesat e Prokurorisë dhe avokatëve mbrojtës, ku më pas kanë rrëzuar pretendimet e mbrojtjes duke lënë në fuqi kërkesën e Prokurorisë. Beteja mes Prokurorisë dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, filloi sapo ky i fundit u vu nën akuzën e korrupsionit. Prokuroria pretendoi se Meta ka konsumuar këtë vepër penale, gjatë bisedës së kryer në zyrën e ish-ortakut të tij Dritan Prifti. Mirëpo Meta nga ana tjetër ka kundërsulmuar duke pohuar se akuza nuk disponon asnjë provë, veç një video-kasete të regjistruar në mënyrë private dhe jo me vendim gjykate. Në këto kushte Meta ka kërkuar pavlefshmërinë e saj, kërkesë kjo që tashmë pritet të shqyrtohet në fillim të fazës së gjykimit. Ndërkohë që dhe ish-zv/ministri i Ekonomisë Leonard Beqiri nëpërmjet avokatit të tij ka tërhequr kërkesën e bërë në gjykatë për pavlefshmëri të videos mes tij dhe Dritan Priftit. Momentalisht nuk dihen rrethanat e kësaj vendimmarrje, dhe në këto kushte Gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen. E. Qyno

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›