E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata, burg pa afat për pronarin e drogës dhe armëve

23/12/2004  TIRANË – Është kapur në flagrancë dhe para gjykatës nuk ka mundur të japë dot asnjë shpjegim. Ymer Braka nga Fieri është dërguar dje në dhomat e paraburgimit, pasi i është komunikuar masa e arrestit burg pa afat nga gjyqtari Dritan Hallunaj. Prokurori Genci Qano e solli në gjykatë fierakun me dy akuza, atë të trafikut të armëve dhe trafikut të lëndëve narkotike. Katër ditë më parë, i pandeuri Braka u kap në flagrancë në pikën kufitare që ndan Shqipërinë me Greqinë. Në makinën me targa greke, me të cilën do të kalonte kufirin i pandehuri, kishte të fshehur tri pistoleta dhe 14.5 kg drogë. Pistoletat të pandehurit iu gjetën në serbatorin e makinës. Ndërkohë që edhe droga ishte e presuar dhe e paketuar më së miri. Vetë i pandehuri dje para gjykatës, nuk dha asnjë shpjegim. Ndërsa avokati mbrojtës, Neshat Fana, i kërkoi gjykatës një masë më të butë arresti. "Ne jemi dakord që të lemë një garanci të majme pasurore në këmbim të masës së arrestit me burg pa afat". Kjo ka qenë kërkesa e avokatit mbrojtës Neshat Fana, kërkesë e cila nuk u pa e arsyeshme nga gjyqtari Dritan Hallunaj. Seanca për dhënien e masës së arrestit ishte fare e shkurtër, për vetë faktin se i pandehuri nuk kundërshtoi akuzën me forcë. Sipas prokurorit Genci Qano, i pandehuri u arrestua në flagrancë dhe provat janë të plota. Është sekuestruar në cilësinë e provës materiale sasia e drogës dhe tri pistoletat. Pas dhënies së masës së arrestit, i pandehuri u shoqërua përsëri për në dhomat e paraburgimit, në pritje të fillimit të hetimeve. Në gjykatë nuk është treguar destinacioni i drogës. Por është thënë vetëm se ajo do të kalonte në Greqi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›