Koçiu me eskortë në varrimin e babait
23/12/2004 TIRANË- Sokol Koçiu, dënuar nga gjykata me 15 vite burg, dje u shoqërua për në varrimin e babait të tij. Burime nga Burgu i Sigurisë së Lartë 302, bënë të ditur se dje në mesditë, Sokol Koçiu është shoqëruar nga një grup policësh për të marrë pjesë në varrimin e babait të tij. Për t'i bërë nderimet e fundit babait, Sokol Koçiu është dërguar nën masa të rrepta sigurie. Mësohet se të pranishëm kanë qenë shefi i togës së shoqërimit si dhe vetë drejtori i Policisë së Burgjeve, Pirro Lutaj. Koçiu nuk ka qëndruar më shumë se sa orari i përcaktuar nga drejtuesit e burgut. Menjëherë sa ka marrë dijeni për vdekjen e babait, Koçiu i është lutur drejtuesve të burgut ta shoqërojnë për t'i bërë nderimet e fundit. Lutjet e tij janë plotësuar, ndryshe nga shumë të dënuar të tjerë, të cilët, edhe pse kanë bërë kërkesë nuk kanë mundur të bëjnë nderimet e fundit prindërve që u kanë vdekur. Mund të kujtojmë këtu Asllan Xhaferrin, të cilit i vdiq babai Rrapush Xhaferri dhe ai nuk u shoqërua për në varrimin e tij. Ndërsa në Drejtorinë e Burgjeve shprehen se shumica e të dënuarve shoqërohen në shtëpi në raste fatkeqësish. Nga burime të brendshme në Burgun 302, mësojmë se Sokol Koçiu ka qëndruar në shtëpi pak orë, e më pas është rikthyer në qelinë e tij të burgut. Sokol Koçiu është dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale të trafikut ndërkombëtar të drogës. Bashkë me të u dënuan edhe Frederik Durda, Arben Bërballa, Din Gjonaj dhe Alfred Nanaj. Që të gjithë janë në burg. Deri tani asnjë prej tyre nuk ka përfituar ulje dënimi. Kërkesa e parë u paraqit nga Frederik Durda, i cili më pas e tërhoqi vetë, pasi pa se në karakteristikën e paraqitur nga burgu, sjella ishte jo e mirë.