E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vrau në 1998, dënohet në mungesë me 24 vjet

23/12/2004  

TIRANË – Një sherr banal që përfundoi në tragjedi. Laurant Cankollari, në vitin 1998 ka vrarë shtetasin Adriatik Bano. I pandehuri gjatë gjithë kohës që është kryer hetimi dhe më pas shqyrtimi gjyqësor, ka qenë në mungesë. Para Gjykatës së Krimeve të Rënda është mbrojtur nga avokati Agim Tirana. Ndërkohë, prokurori Altin Dumani kërkoi dënimin e tij me 25 vjet burg. Avokati mbrojtës pretendon ta nxjerrë të pafajshëm. Agim Tirana u shpreh se, në kohën kur pretendohet se është kryer vrasja e Adriatik Banos në afërsi të Pallatit të Sportit "Partizani", klienti i tij ka qenë në Itali. Një seancë më parë, avokati ka siguruar një dokument nga policia italiane, që tregon se Laurant Cankollari ka qenë në Itali. Por për fat të keq, ky dokument, sipas avokatit, nuk u dorëzua në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda, pasi erdhi me vonesë. Prokurori e deklaroi fajtor të pandehurin Cankollari për krimin e vrasjes. Motivi ka qenë një borxh i vjetër. Viktima, sipas vendimit të djeshëm të gjykatës, i kërkonte Cankollarit një borxh prej 3 milionë lekësh. Ky borxh i ishte marrë viktimës disa kohë më parë dhe nuk i kthehej më. Kështu, Adriatik Bano, për të mos i kthyer borxhin e marrë, e eliminon. Vrasja, sipas akuzës, është kryer me paramendim. Prokurori Altin Dumani, tha se i pandehuri dhe viktima më parë kishin qenë shokë të ngushtë. Gjetja e autorit të krimit, sipas akuzës, u bë e mundur vetëm nëpërmjet gjurmëve të gishtave. Por të gjitha provat janë kundërshtuar nga avokati, i cili tha se në Apel do të paraqesë një dokument, që e cilëson Laurant Cankollarin të pafajshëm.

Alma Çuka

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›