E Hënë, 2 Nëntor 2026

Poçi: Për Albtelekomin interesohen 8 kompani

23/12/2004  Tetë kompani janë të interesuara për Telekomin. Ministri i Telekomunikacioneve, Spartak Poçi, pranoi dje në emisionin “5 pyetje nga Babaramo”, se kompanitë që kanë shprehur interes janë me origjinë nga Evropa, Amerika dhe për herë të parë arabe. Ministri nuk tregoi emrat e të gjitha kompanive, por përmendi vetëm atë të “Doutche Telecom”, kompania më e madhe e telefonisë fikse në Evropë. Sipas ministrit, procesi i privatizimit pritet të marrë fund në mars ose prill. Pyetjes për vlerën e Telekomit, çuditërisht ministri i Telekomunikacioneve nuk iu përgjigj, duke theksuar se ajo do të jetë e lartë. Sipas vlerësimit të kompanisë, Telekomi përbëhet nga 17.4 milionë aksione të thjeshta, vlera e secilit llogaritet 1 mijë lekë. Veprimi matematik bën që vlera e Telekomit të jetë 17.4 miliardë lekë, ose me një kurs mesatar të këtij viti, rreth 174 milionë dollarë. Sipas ministrit, janë ngrirë investimet për “Eagle Mobile”, për shkak të kërkesave të ndryshme që kanë bërë kompanitë që po shprehin interes. Poçi pranoi se është pikërisht “Eagle Mobile”, ajo që po e bën të kërkueshëm Telekomin. Pas rreth 2 vitesh nga fillimi i procesit të privatizimit, Telekomi ka tërhequr vëmendjen e kompanive të huaja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›