Lamaj, avokatët hapin rrugën për fillimin e gjykimit
22/04/2005 TIRANË – Altin Lamaj nuk ka pranuar të marrë pjesë në procesin që zhvillohet kundër tij. Pas disa seancash gjyqësore të shtyra nga gjykata, duke u pezulluar dhe afatet e paraburgimit, ai u jep të drejtën dy avokatëve Genc Gjokutaj dhe Fatos Shanaj, për ta përfaqësuar në të trija shkallët e gjykimit. Seanca e djeshme gjyqësore u shty përsëri. Këtë radhë ishte avokati Genc Gjokutaj, që kërkoi një datë tjetër, me qëllim që të ketë në dorë vendimin e Gjykatës së Lartë për shpalljen e kompetencës. Sipas avokatit Gjokutaj në datë 9 nëntor 2004, Gjykata e Krimeve të Rënda rrëzoi kërkesën e bërë nga Altin Lamaj për shpalljen e moskompetencës dhe kalimin e kësaj dosje në shkallën e parë të gjykimit. Avokatët bënë rekurs të drejtëpërdrejtë në Gjykatën e Lartë. Ndërkohë, kjo e fundit e nis çështjen për shqyrtim në apel. Përsëri apeli ia nis Gjykatës së Lartë, e cila sipas avokatit nuk është dakord, që për të shpallur moskompetencën të bëhet rekurs i drejtëpërdrejtë. Gjokutaj tha se çështja ka qëndruar në shkallën më të lartë të gjykimit. Në pritje të një vendimi pro klientit të tij, avokati kërkoi shtyrjen e seancës duke u shprehur se nuk ka aspak ndërmend të bëjë këtë hap për të përfituar kohën e paraburgimit, pasi afatet janë pezulluar disa herë. Altin Lamaj ka ardhur në gjykatë si i dyshuar për kryerjen e disa veprave penale tepër të rënda, të cilat datojnë nga dhjetori i vitit 1999 e në vazhdim. Është arrestuar në shtator 2003 në ambientet e lokalit të tij "Venecia", pas një aksioni blic të policisë kriminale.