E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush fshihet pas rrëmbimit të Azize Mirlak?!



Një familje shqiptare e goditur nga fenomeni i rrëmbimit të fëmijëve ka qenë një ndër rastet më tipike të trajtuara natën e së shtunës së dy javëve më parë në “Njerëz të humbur”. Ka qenë një ditë mëse e zakonshme në Stamboll ajo e 11 korrikut 2003 për familjen Mirlak. Njëra prej vajzave të shtëpisë, Azizja, 7-vjeçare, doli si përditë të luante në një kënd lojërash të quajtur “Javus Selim Park”, që ndodhej pak metra larg shtëpisë, në lagjen “Bajram Pasha”. Aliu, i ati i Azizes, kishte dalë pak më vonë për të kontrolluar të bijën, por kishte vërejtur se dyqani ku e kishte nisur vajzën kishte qenë mbyllur. Me shpresën se ajo kishte shkuar të luante në park ai kishte ikur i qetë në punë. Por edhe Manuela, mamaja e Azizes, kishte menduar se vajza kishte shkuar bashkë me të atin te puna e këtij të fundit. Vetëm në orën 23 ishte marrë vesh çudia më e madhe: vajza ishte zhdukur. Publikime pa fund, por fatkeqësisht lajme asnjë... Askush nuk pohonte ta kishte parë Azizen të shoqërohej me dikë atë ditë dhe as të rrëmbehej nga dikush me forcë. Stafi i emisionit udhëtoi në drejtim të Stambollit për të mësuar më nga afër dramën që po përjetonte kjo familje e varfër me origjinë shqiptare. Në rrugë konfidenciale u arrit të merrej vesh se pak kohë përpara se të humbte gjurmët, Azizja qarkullonte në lagje me shumë para në xhep, të cilat nuk i kishte marrë as nga familja dhe as nga komshinjtë. Në konfidencë u mor vesh se në atë kohë në lagjen “Bajram Pasha” qarkullonte një person i cili njihej si mashtrues dhe keqbërës. Njerëz të ndryshëm guxonin të përmendnin faktin se ai ishte marrë dhe me rrëmbim fëmijësh në vende te ndryshme të Turqisë, duke u maskuar si lypës. Fill mbas zhdukjes së Azizes së vogël, ky person kishte ndryshuar banesë, duke ikur qindra kilometra larg. Një histori tjetër ishte dhe ajo e Kaludia Arapit. Klaudia Arapi, aktualisht 21 vjeçe, emigroi së bashku me familjen në drejtim të Greqisë para 13 viteve. Historia e mungesës së babait të saj biologjik ndikoi mjaft në psikologjinë e Klaudias. Në vitin 2005 Klaudia kapet nga policia greke dhe riatdhesohet për mungesë dokumentesh. Pasi vendoset në Durrës ajo arrin të gjejë një shtëpi me qira ku vendoset së bashku me djalin e saj 5-vjeçar, Pavlon. Pasi fillon punë si kameriere ajo humb çdo lidhje me nënën e saj, Lidian. Rasti i 21-vjeçares vjen menjëherë në “Njerëz të humbur”, ku nisin në kërkim të gjurmëve të saj. Historia e Klaudias u publikua edhe në emisionin analog në Greqi “Fos sto tunel”, me shpresën se do të zbulohej se kush e kishte marrë vajzën dhe se çfarë kishte ndodhur me jetën e saj. Një skenar i frikshëm filloi të zbulohej dalëngadalë për Klaudian. Pas shumë kërkimesh u arrit të gjendej vendndodhja e Klaudias. Gjatë transmetimit direkt të “Njerëz të humbur” të shtunën e kaluar, nëna e Lidias arriti të dëgjojë pas 2 vitesh zërin e vajzës së saj. Merr fund ankthi për nënën e babain e Arben Çelës nga Ballshi. Aida Shtino, në programin e saj “Njerëz të humbur”, në Vizion Plus, gjen Arben Çelën në Toronto të Kanadasë. 35-vjeçari kishte humbur kontaktet me familjen e tij më 31 dhjetor të vitit 2003, por kishte që prej vitit 1991 që familja e tij nuk e kishte parë me sy atë. Mbrëmjen e së shtunës Aida Shtino realizon kontaktin me vëllain e tij, ku ky i fundit rrëfen emocionet e telefonatës pas 5 vitesh mungese të Arbenit. Ndihmesë të jashtëzakonshme kanë dhënë dhe mediat shqiptare në Kanada, të cilat kanë pasqyruar të dhënat dhe foton e djalit si dhe Kryqi i Kuq Kanadez. E nuk kishte sesi kjo histori të lihej përgjysmë pasi në sajë të kërkimeve intensive u arrit që djali 35-vjeçar të komunikonte me nënën dhe babain e tij. Në ditët e fundit të pleqërisë ata kanë marrin lajmin më të gëzuar për djalin e tyre, një gëzim i njëjtë me atë ditë kur Arbeni ka ardhur në jetë dhe që do të vazhdojë të mbretërojë pas 5 vitesh heshtjeje të tij.
Sonte në “Njerëz të humbur” do të mund të ndiqni: Nga Berati një emigrant shqiptar humb kontaktet me familjen e tij në muajin gusht të vitit 2005 nga Gjermania. Cila është historia dhe si mund të ketë rrjedhur jeta e tij në vitet e emigracionit!? “Pakoja e kujtimeve” këtë herë do të bashkojë dy familje, njëra me banim në Kosovë dhe tjetra nga Shqipëria. Cili është fati i Azize Mirlak, Forcim Sukljës dhe personave të tjerë të humbur!? Cilat janë dëshmitë dhe faktet që “Njerëz të humbur” ka arritur të sigurojë në lidhje me këto raste!? Për më tepër na ndiqni sonte ora 21:00, “Njerëz të humbur” në Vizion Plus.

3 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›