Marina ushtarake, aksion për të pastruar detin nga municionet
VLORË - Ashtu sikundër ishte planifikuar, të premten nisën veprimet konkrete në terren për çminimin e zonës nënujore te vendi i emërtuar "Kalaja", në bregdetin e Vlorës, në kuadrin e operacionit "Plazhe të sigurta". Mjete lundruese dhe polumbarë të Brigadës Detare dhe të Grupit të 28-të Naval, nisën nxjerrjen e predhave dhe municioneve në këtë zonë, të cilat ndodhen në një thellësi prej rreth 7 metrash dhe në një sipërfaqe rreth 200 metra katrorë, duke i transportuar më pas në drejtim të vendit të quajtur Shën Vasil në Karaburun, ku do të realizohet edhe shpërthimi. Ky operacion do të përfundojë brenda muajit maj, kur pritet të pastrohet tërësisht zona nënujore te Kalaja, ku mendohet se gjenden rreth 40 tonë predha dhe municione të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore. Specialistët parashikojnë që çdo ditë të nxjerrin 1.5 deri në 2 ton municione, të kalibrit 30 deri në 122 mm. Pastrimi i zonës nënujore tek "Kalaja", përbën edhe fazën e parë të operacionit, që do të zgjerohet më pas në 11 pika në gjirin e Vlorës. Ky operacion u lajmërua një javë më parë gjatë një vizite në Distriktin Detar të Vlorës, të Ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa.
SHKURT
Përplasja me fugonin, plagoset drejtuesi i motorit
MAMURRAS - Një aksident rrugor me pasoje plagosjen rëndë të një 50-vjeçari ndodhi të premten paradite në aksin rrugor që lidh Fushë-Krujën me Mamurrasin. Burimet zyrtare të policisë vendore bëjnë të ditur se është aksidentuar shtetasi Gjet Tuci, i cili ishte duke udhëtuar me motorin e tij kur është përplasur me një makine tip fugon, me targa të Tiranës, i cili ishte i mbushur plot me pasagjerë. I lënduari është dërguar menjëherë në drejtim të spitalit të Laçit, por më pas, është dërguar për ndihmë mjekësore të specializuar në Spitalin Ushtarak. Burime nga policia bëjnë të ditur se hetimet e para në vendngjarje flasin për një pakujdesi nga ana e drejtuesit të motorit i cili mbeti dhe i plagosur në këtë aksident që ndodhi në hyrje të qytetit të Mamurrasit.
Ardian Shpendi
Gjendet i mbyturi, 9 km larg vendit ku u aksidentua
TEPELENË – Pas dy ditësh kërkimi gjendet edhe personi i tjetër që humbi jetën tre ditë më parë në aksidentin automobilistik që ndodhi në aksin Ballsh-Tepelenë. Forcat e rendit, të ndihmuar edhe nga një ekip polumbarësh të ardhur nga Tirana, gjetën dje, 9 kilometra larg vendit të ngjarjes, trupin e pajetë të Ramazan Halilit. Rrjedha e lumit e kishte marrë duke e çuar në vendin e quajtur Leshnje, poshtë lagjes Shehaj të fshatit Toç. Të mërkurën në mbrëmje, automjeti i drejtuar nga shtetasi Ramazan Halili, doli nga rruga në vendin e quajtur “Shkëmbi i Nivicës”, duke rënë në lumin Vjosë. Në këtë aksident humbën jetën çifti Ramazan dhe Mevlude Halili.
Prangoset, kërkohej për plagosjen e 2 personave
SHKODËR - Një 37 vjeçar nga Shkodra, që kërkohej prej 4 ditësh si autor i plagosjes së dy shtetasve, u ndalua të premten nga policia. Burime zyrtare të policisë lokale thanë se "37 vjeçari Genc Qarri, lindur e banues në fshatin Barbullush të këtij rrethi, është identifikuar si autori i plagosjes me armë zjarri të Gjergj Shllakut, 20 vjeç". Sipas policisë 37 vjeçari Qarri akuzohet se ka goditur me mjete të forta në kokë edhe shtetasin Edvin Nuku, 25 vjeç. Ngjarja ndodhi në 29 prill pas një konflikti mes 25 vjeçarit Nuku dhe 37 vjeçarit Qarri. Ndaj autorit, vijuan burimet, janë ngritur akuzat “plagosje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Konflikti i pronësisë, plagos 2 vetë dhe më pas zhduket
KUKËS - Policia e Kukësit është vënë në kërkim të një 48 vjeçari, i cili mbrëmjen e kaluar plagosi me armë zjarri tip pistoletë dy shtetas pas një konflikti për pronësinë e tokës. Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur se "ngjarja ndodhi në fshatin Shtrezë rreth 30 km larg Kukësit, ndërkohë që si autor i saj është identifikuar 48 vjeçari Rexhep Parllaku nga fshati Novosejë". Të njëjtat burime saktësuan se Parllaku plagosi me armë shtetasit Safet Todori dhe Korab Biba, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Kukësit.
3 Maj 2008