E Diel, 1 Nëntor 2026

Përdhunoi dhe keqtrajtoi të renë, prangoset vëllai i Indrit Taullait

 

DURRES - Arrestohet në Durrës Edmond Taullai, vëllai i Indrit Taullait, person ky i njohur si anëtar i bandës së Durrësit. Ai është prangosur nga policia në një aksion të rrufeshëm të kryer gjatë orëve të pasdites. 23-vjeçari nga Spitalla është denoncuar për përdhunim dhe me të dëgjuar rrëfimin e viktimës E.Rr., efektivat blu i kanë vënë prangat Taullait. Sipas policisë bëhej fjalë për përkrahjen që Edmondi i kishte dhënë vëllait të tij Indrit, në kohën kur anëtari i bandës së Durrësit ndodhej në arrati. Në pak kohë policia e Durrësit ka arritur të ndërtojë edhe skemën e përdhunimit. Edmond Taullai, prej një muaji shoqërohej me 22-vjeçaren E.Rr. Mësohet se Edmond Taullai së bashku me vajzën kanë qëndruar disa ditë te shtëpia e të riut, të ndodhur në Spitallë. Por nuk dihen ende motivet e keqtrajtimit fizik, shenjat e së cilës janë të dukshme në trupin e viktimës. Vajza po trajtohet me mjekim të specializuar në spitalin rajonal të Durrësit. Ndërkaq mjekët kanë raportuar në polici se, “dëmtimet e vajzës janë serioze”. Kaq i ka mjaftuar policisë që ndaj Edmond Taullait të formulojë dy akuza, “kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë” dhe “keqtrajtim fizik”. Sipas hetuesve që po merren me çështjen, keqtrajtimi fizik ka qenë në kufijtë e torturës. Nuk dihet nëse shkak i saj është bërë ndonjë sherr me çiftit apo dëshira e vajzës për të ndërprerë lidhjen mes tyre. Ndonëse kjo ngjarje nuk ka asnjë lidhje me bandën e Durrësit, policia ka raportuar për mediat se “i arrestuari është një person i afërt me bandën e Durrësit dhe kreun e saj Lulëzim Berisha”. Shkak për këtë është bërë akuza, e cilësuar e ligjshme nga Gjykata, në bazë të së cilës Edmond Taullai është dënuar për përkrahjen që i ka bërë më parë vëllait të tij më të madh. Kjo nuk e përjashton mundësinë që Edmond Taullai të merret veçmas në pyetje nga hetuesit edhe për çështjen e ndërlikuar të bandës së Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›