Paraqitet projektligji për çmimet
12/04/2005 Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ka paraqitur në Komisionin e Ekonomisë projektligjin që parashikon formulën e vendosjes së çmimit të tokës. Fillimisht drafti u paraqit në formën e një metodike, ku u paraqitën dhe shembujt konkretë. Por deputetët kanë kërkuar që një formë e tillë e prezantimit të përjashtohet, pasi komisionet nuk miratojnë shembuj, por ligje. Pas kësaj kërkese, ekspertët e Komitetit të Pronave në bashkëpunim me juristët e Kuvendit e kanë shndërruar Metodikën në një projektligj, që do të votohet këtë javë në Komisionin e Ekonomisë. I njëjti variant do t'i paraqitet dhe Komisionit të Bujqësisë, pasi dhe deputetët e tij kanë kërkuar që Komiteti Shtetëror të ndjekë rrugën ligjore të parashikuar prej Kuvendit. Megjithatë duket se do të jetë fundi i muajit që do vendosë mbi ligjin e pronave.