Gjykata dhe policia, të mbrojnë të dhunuarën E.S.
Rrjeti Kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit ka ndjekur me shqetësim nëpërmjet medias të gjitha ngjarjet e dhunës së ushtruar nga qytetari E. Troka kundër ish të dashurës së tij E.S. Fakti që veprimet e dhunuesit kanë qenë të vazhdueshme, me episode të rënda dhune, dëshmon për një ngadalësi të organeve të drejtësisë dhe të Policisë së Rrethit të Fierit në parandalimin e dhunës. Pavarësisht se gjykata ka rrëzuar kërkesën e E.S., për urdhër mbrojtjeje, ky fakt nuk do të thotë se ajo nuk mund të mbrohet nga dhuna si çdo qytetar tjetër i Republikës së Shqipërisë. Vetë policia duhet të jetë më aktive dhe të bashkëpunojë edhe me prokurorinë për të ndalur menjëherë çdo kërcënim për dhunë, ose çdo veprim tjetër dhune. Rrjeti i Organizatave Kundër Dhunës me Bazë Gjinore i bën thirrje Prokurorisë së Rrethit Fier, që të përfundojë sa më shpejt hetimet, me qëllim që gjykata të japë vendimin e saj. Ndërkohë, kjo situatë kërkon një angazhim më të madh të organeve të policisë në mbrojtje të vajzës E.S. Rrjeti i Organizatave Kundër Dhunës me Bazë Gjinore përfiton nga rasti të falënderojë gazetën “Shqip” për këtë denoncim dhe të shprehë mbështetjen e plotë për të gjitha mediat që trajtojnë me profesionalizëm raste të dhunës me bazë gjinore. Ky rrjet përbëhet nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, Shoqata Refleksione, Qendra e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, si dhe Strehëza për Gratë dhe Vajzat.
#