Vendimi; Dosja “Kashari”, 28.8 vjet burg e 24 milionë lekë gjobë për 7 të pandehurit
Të akuzuar për tjetërsim pronash, mbivendosje, mashtrime, apo dhe falsifikime të ndryshme dokumentesh, më në fund dje është dhënë verdikti përfundimtar i gjykatës për 7 të pandehurit e dosjes “Kashari”, seancë e cila zgjati për me tepër se 3 orë. Gjatë arsyetimit të vendimit, gjyqtari kryesues i seancës, Sokol Tona, renditi dje rastet konkrete të marra si provë gjatë këtij gjykimi dhe shpalli dje fajtorë shtatë të pandehurit, duke i dënuar në total me 28.8 vjet burg dhe 24 milionë lekë gjobë. Të pandehurit janë gjykuar përmes aplikimit të gjykimit të shkurtuar, duke përfituar në këtë mënyrë uljen e 1/3 së dënimit. Dy seanca më parë, prokurori i çështjes, Armand Gurakuqi, kërkoi dënimin me 55 vjet burg dhe 49 milionë lekë gjobë për këta të pandehur. Ata akuzohen për skandalin e abuzimit me tokat, i cili është shtrirë në 178 mijë metra katrorë në zonën e Kasharit. Prokuroria ka dërguar në bankën e të pandehurve 10 shtetas, tre prej të cilëve kanë kërkuar t’u veçohet dosja dhe të gjykohen me gjykim të zakonshëm. Të pandehurit, kryekomunarë, kryepleq, punonjës të Komunës së Kasharit dhe të afërm të këtyre zyrtarëve, akuzohen se kanë përfituar rreth 18 hektarë tokë në mënyrë abuzive. Këto prona u janë grabitur fshatarëve të kësaj komune, duke i shitur në disa duar e mbi të cilat janë ngritur dhjetëra biznese, ndërtime të larta dhe shtëpi private. Nga hetimet gjashtëmujore të organit të akuzës ka rezultuar se 10 të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë të ndryshme, por në mënyrë të njëjtë, kanë tjetërsuar e përvetësuar rreth 178 mijë metra katrorë truall, të “grabitura” këto në 34 raste të ndryshme. Këto prona, në bazë të ligjit 7051 për kthimin dhe kompensimin e tyre, u takonin fshatarëve të Kasharit. Një ndër denoncuesit e parë të këtyre abuzimeve ka qenë ndërtuesi Vladimir Kosta, të cilit i pandehuri Hyka i ka marrë me anë të mashtrimit, duke i shitur pronën e dikujt tjetër, 230 milionë lekë.
Akuzat dhe të pandehurit
Nga vitit 2000 e deri më sot, drejtuesit e kësaj komune, në mënyrë abuzive, duke falsifikuar dokumente, hartën topografike dhe shumë dokumente të tjera ia kaluan këto prona të njohurve të tyre, të cilët më pas i shisnin. Pas shitjes, përvetësuesit me letra, të ardhurat materiale të shitjes i ndanin së bashku me të tjerët, duke fituar kështu shuma të majme parash, që mendohet se kapin shifrën e 20 milionë eurove, u shpreh prokurori Gurakuqi. Ndaj 10 të pandehurve të kësaj dosjeje janë ngritur akuzat për një sërë veprash penale, si “falsifikim të dokumenteve” nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre në 34 raste; “shpërdorimit të detyrës”, “korrupsionit pasiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të zgjedhurit vendor”; “mashtrimit me pasoja të rënda”, të gjitha këto në bashkëpunim dhe kryerjen e veprës penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” në katër raste. Sipas akuzës, Alfred Sula, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Kasharit, gjatë ushtrimit të detyrës së tij ka falsifikuar dokumentet zyrtare për përvetësimin e pronave të ndryshme në 13 raste dhe mban mbi supe më shumë akuza se bashkëpunëtorët e tij. Sipas prokurorit Gurakuqi, 177.592 metra katrorë truall janë përfituar në mënyrë abuzive nga 15 persona, në sipërfaqe të ndryshme.
Përfitimet dhe provat
“Nga hetimet 6-mujore, ku janë marrë në pyetje më shumë se 50 persona, janë kryer shumë sekuestrime dhe verifikime dokumentesh. Personi që ka përfituar më shumë nga këto “grabitje” pronash është i pandehuri Xhevahir Hyka, daja i kryetarit të Komunës së Kasharit, Alfred Sula, i zgjedhur në zgjedhjet e fundit vendore të 18 shkurtit 2007 në këtë komunë. Më pas, lista e përfituesit ndiqet nga i afërmi tjetër i kryetarit të komunës, Ismail Sula, me katër raste, duke u ndjekur më pas me të pandehurin Ruhi Valisi, i cili ka përfituar prona me anë të falsifikimit në tre raste, duke vazhduar me përfituesin në 2 raste nga i pandehuri Ismet Bakalli”, - deklaroi gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare prokurori i çështjes. Sipas tij, është evidentuar si përfitues në mënyrë të padrejtë, me dokumente të falsifikuara edhe babai i kryetarit të Komunës së Kasharit, shtetasi Jakup Sula.
Të pandehurit, akuzat dhe masat e dënimit
* Alfred Sulaj, “falsifikim të dokumenteve” në 13 raste, dënohet përfundimisht me 6 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë
* Shefqet Alikaj, “falsifikim të dokumenteve” në 12 raste, dënohet përfundimisht me 3 vjet burg dhe 3 milionë lekë gjobë
* Bardhyl Kamberi, “falsifikim të dokumenteve” në 6 raste, dënohet përfundimisht me 2 vjet burg e 2 milionë lekë gjobë
* Faik Fejzo, “falsifikim të dokumenteve” në 8 raste dhe “shpërdorim detyre”, dënohet përfundimisht me 4 vjet burg dhe 5 milionë lekë gjobë
* Isam Shera, “falsifikim të dokumenteve” në 9 raste dhe “korrupsion pasiv”, dënohet përfundimisht me 3 vjet burg dhe 2 milionë lekë gjobë
* Xhevahir Hyka, “falsifikim të dokumenteve” në 5 raste dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, dënohet përfundimisht me 4 vjet burg dhe 4 milionë lekë gjobë
* Ismail Sula, “falsifikim të dokumenteve” në 2 raste dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”, dënohet përfundimisht me 6.8 vjet burg dhe 2 milionë lekë gjobë