E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lufta ndaj drogës, tri qendra rehabilitimi ndaj 12 mijë përdoruesve



Ajo kishte përveshur mëngët, duke lënë të zbuluar tërë parakrahun, i cili lëvizte në mënyrë joritmike i mbështetur në parvaz. Lëkura e zbuluar ishte e lodhur, me shenja “vuajtjeje”, që të jepte përshtypjen e një gjymtyre të mplakur të një gruaje 40-vjeçare. Por jo, ajo ishte vetëm 22 vjeçe, me sy ngjyrë kafe në të çelët, me pakëz dritë në thellësi dhe të rrethuar nga rrathë të zinj vuajtjesh.

Qëndronte nga ana e jashtme e ndërtesës njëkatëshe, me dorën e majtë dhe një pjesë të trupit të futur brenda në dritaren e vogël që ishte e vetmja hapësirë komunikimi midis saj dhe punonjësve të qendrës. Ishte e veshur në mënyrë rastësore: xhinse blu të thjeshta dhe xhup i zi i shkurtër, me zinxhir të zbërthyer deri në gjysmë, që lejonte të shikoje golfin gri të saj.

Kishte ardhur për të marrë dozën e radhës të metadonit. Një substancë që për shumë mjekë dhe të droguar shikohet si arma e vetme për të arritur që të shkëputesh nga varësia ndaj drogës.

Duhej të kalonin edhe dy ditë dhe ajo të vinte. Vetëm atëherë mund ta merrte antidotin. Një nervozizëm e pushtoi, ndërsa dora e saj vazhdonte të lëvizte në të njëjtën mënyrë joritmike. Por, për një çast, vetëm dy-tri sekonda, ndërsa më pas, një buzëqeshje shprese iu shfaq sërish në fytyrë.

Po bëhej gati të ikte. Pa nga dy punonjësit, të cilët e kujtuan sërish për orarin, u tërhoq pas, ngiti dorën e majtë nga parvazi dhe i përshëndeti ata. U largua. Do t’i duhej të vinte pas dy ditësh, ndërsa e dinte që tani e prisnin “orë betejash”.

Në vitin 2009 numri i personave përdorues të drogës në Shqipëri është afërsisht 40 mijë, ndërsa ka vetëm tri qendra rehabilituese për t’i ardhur në ndihmë kësaj armate të droguarish, e cila nga viti në vit po pëson rritje. Nga këta, 12 mijë janë përdorues vetëm në Tiranë. Ndërkohë që 38 mijë janë të shpërndarë në të gjithë territorin e vendit. Me gjithë përpjekjen e institucioneve, të shtetit, shoqatave të ndryshme, numri i përdoruesve, sidomos të rinj, të drogës vazhdon të shtohet.

Kjo ka bërë që të ketë një angazhim më të madh të këtyre strukturave për të luftuar këtë fenomen. Megjithatë, duket se kjo do të jetë një betejë e vështirë, pasi shifrat nga viti në vit po vijnë në rritje.

Nga vëzhgimet dhe studimet e fundit tek të rinjtë shikohet një rritje e preferencave për substanca sintetike të tipit të amfetaminës (ekstazi, metamfetaminë). Substancat psikoaktive që përdoren më shumë janë prodhimet e kanabisit rreth 65%, përdoruesit e opiateve, kryesisht të heroinës, janë 20-25% (një pjesë e konsiderueshme e të cilave administrohet intravenoz, duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të transmetueshme) si dhe rreth 10% janë përdorues të kokainës. Kështu, janë rreth 12 mijë përdoruesit e drogës, të cilët kanë nevojë për trajtim mjekësor. Nga këta vetëm 25% arrijnë që t’i rikthehen normalitetit të jetës, ndërsa pjesa tjetër vazhdon që të vuajë si pasojë e varësisë ndaj drogës. Mosha mesatare e përdoruesve të drogave, sipas të dhënave, është 18-24 vjeç, por nuk përjashtohen rastet e moshave 13-14 vjeç si përdorues të tyre. Grupet më të prekshme konsiderohen të rinjtë nën 34 vjeç, kryesisht të papunë, por dhe nxënës 14-17 vjeç, që më së shumti, nuk shkojnë në shkollë.

Arsyet e përdorimit të drogës

Sipas Doktorit të Shkencave Mjekësore, neurologut Kahreman Harxhi, në qendrën rehabilituese “Aksion Plus”, janë një sërë arsyesh që kanë ndikuar në rritjen e numrit të të droguarve nga vitit në vit.

“Deri në vitet 1990 përdorimi i drogave në vendin tonë ka qenë sporadik. Duke marrë kontakt me hapjen e vendit, kontakti me vendet e tjera si dhe emigracioni zhvillimi tregtar, edhe Shqipëria nuk mundi t’i shpëtonte drogës. Gjendja nga viti në vit ka ardhur duke u shtuar dhe kjo për shkak të disa arsyeve. Një prej arsyeve kryesore është se droga të jep shumë përfitim nga ana financiare dhe nisur nga kjo ka pasur ndikim në rritjen e numri të përdoruesve.

Gjithashtu, substancat e drogave japin “efekte pozitive”, si rritja e humorit, rritja e fuqisë, gjallërimi, ndjenjat seksuale. Kjo bëri që një pjesë e rinisë në vend të fillojë ta përdorë atë”, - shpreh Harxhi.

Sipas mjekut neurolog, në vendin tonë, si rrjedhojë e hyrjes së këtyre lëndëve narkotike dhe shpërndarjes në mënyrë graduale hyri në përdorim që në moshën e pubertetit dhe në vazhdim në shkollat e mesme dhe në universitet.

Harxhi shpjegon se shumica e të rinjve që trajtohen në qendrën e tij, e kanë nisur përdorimin e drogës thjesht nga kurioziteti. “Shumica e të rinjve e nisin drogën për kuriozitet. Megjithatë, më pas, helmi ka arritur që të bëjë për vete dhe përdoruesi fillon dhe e kërkon vetë ta përdorë atë.

Por, “një arsye tjetër është edhe gjendja ekonomike jo e përshtatshme e një pjese të mirë të të rinjve”.

Ndërkohë që një faktor tjetër janë problemet familjare si dhe mosha e re në fillimet e adoleshencës.

Efektet e drogës

Harxhi shpjegon se efektet “pozitive” të përdorimit të drogës shfaqen vetëm kur ajo përdoret në etapën e parë. “Fillimisht përdorimi i drogës të jep gjallërim një eksitim dhe shtim të aktivitetit. Kjo është etapa e parë. Më pas, në etapën e dytë shfaqen pasojat negative të saj.

Pasojat e përdorimit të drogës janë shkatërrimtare, kështu, të rinjtë që nisin të përdorin drogën, shkatërrojnë trupin e tyre, familjen, shkollën dhe të ardhmen.

Më pas, kur një person është i varur nga droga, atëherë ai do të bëjë gjithçka për të arritur që të sigurojë drogë. Ai shkon deri aty sa të vjedhë në familje, në ambientet shoqërore, madje të shesë trupin e vet.

Ndihma ndaj përdoruesve të drogës

Problemi i mungesës së qendrave trajtuese ishte një çështje në të cilën u ndal edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ndërkohë që numri i personave të cilët përdorin droga të rënda shkon në rreth 12 mijë në të gjithë vendin, janë vetëm tri qendrat të cilat mund t’u vijnë në ndihmë atyre. Ndërkohë që shoqata “Aksion Plus” që prej dy vjetësh trajton këta persona me anë të metadonit, një armë e fortë kjo në betejën e vështirë ndaj varësisë së drogës. Në një tryezë në lidhje me këtë problem, ministrja Godo u shpreh: “Jemi koshientë se vetëm kaq është e pamjaftueshme për të përballuar sfidën në frontin e kërkesës për drogë. Në kushte të tilla, jemi duke punuar për ngritjen e infrastrukturës trajtuese bashkëkohore”. Numri i personave të cilët trajtohen në këto qendra është rreth 500 vetë.

Lufta e policisë

Gjatë dy viteve të fundit Policia e Shtetit i ka dhënë një goditje të fortë trafikut dhe prodhimit të lëndëve narkotike në vend. Kështu, është rritur ndjeshëm forca goditëse. Në vitin 2008 janë evidentuar 646 vepra penale, me 579 persona të proceduar dhe 352 të arrestuar e të ndaluar.

Janë sekuestruar 70 kg 500 gr heroinë, 3 kg 900 g kokainë, 3517.7 kg marijuanë dhe asgjësuar 143 986 bimë kanabis sativa.

Janë goditur 40 grupe kriminale të trafikut të lëndëve narkotike ose 10% më shumë se në vitin 2007, me 172 persona të proceduar penalisht.

Gjithashtu u realizuan me sukses 35 operacione me teknikat speciale të hetimit.

Janë realizuar edhe 13 operacione ndërkombëtare: 9 me Italinë; 3 me Gjermaninë; 1 i përbashkët me SHBA-në dhe Gjermaninë, ku janë arrestuar 19 persona.

U zbuluan për përfshirje në trafik lëndësh narkotike dhe u arrestuan 4 punonjës policie dhe 20 zyrtarë të administratës publike. Në vitin 2008 është zvogëluar me pesë herë sipërfaqja e tokës e kultivuar me hashash në vend. Megjithatë, me gjithë përpjekjet e Policisë së Shtetit për të luftuar drogën, sërish numri i përdoruesve pëson rritje.

Lufta ndaj drogës

Sipas Doktorit të Shkencave Mjekësore, Harxhi, rëndësi të madhe në këtë betejë luan profilaksia, pra mospërdorimi i substancave narkotike, me gjithë masat që po merren në vendin tonë si lufta ndaj trafikantëve të saj dhe përhapjes së drogës, punës intensive të psikologëve në drejtim të përdoruesve të saj.

Mjeku neurolog shton: “Duhet të dimë që për një përdorues droge është shumë e vështirë që të shkëputet prej saj”. Për Doktorin e Shkencave masa më e mirë për të luftuar këtë problem është që ne të parandalojmë përdorimin drogës tek të rinjtë në vend. “Është më e lehtë ta parandalosh përdorimin e drogës sesa pastaj të shërosh një përdorues të saj”, - përfundon ai.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›