Lohan: Pavarësia e gjyqësorit e rëndësishme për ne

Helmuth Lohan
Tiranë, 28 Tetor, 14:36, NOA Ne i kushtojmë mjaft rëndësi marrëdhënieve mes institucioneve të gjyqësorit dhe pavarësia e tyre është e rëndësishme, tha gjatë një takimi sot, Helmut Lohan, shefit të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë.
"Përmirësimi i Sistemit Gjyqësor për çështjet Tregtare në Shqipëri" është një projekt binjakëzimi mes Ministrisë së Drejtësisë së Shqipërisë dhe të Austrisë, që rekomandon specializimin e gjyqtarëve dhe Gjykatave, të cilët merren me të drejtën tregtare në vendin tonë. Projekti i financuar nga Bashkimi Europian, me vlerë 1 milion euro, u prezantua në Ministrinë e Drejtësisë, në prani të Ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj, shefit të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Helmuth Lohan, etj.
Ekspertët që po punojnë për këtë projekt, rekomandojnë përshtatjen e kodit civil shqiptar sipas rregullave të BE-së lidhur me agjentët tregtarë, pagesat me vonesë dhe mbrojtjen e konsumatorit, përmirësimin e specializimit të gjykatësve në çështjet tregtare, përqendrimin e çështjeve tregtare në më pak gjykata rrethesh, me qëllim, rritjen e eficencës dhe monitorimit të kohëzgjatjes së zhvillimeve gjyqësore.
Shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ambasadori Helmuth Lohan tha se, përmirësimi i punës gjyqësorit mbi çështjet tregtare do të sjellë rritjen e besimit të publikut dhe komunitetit të biznesit. Kjo, sipas tij, "do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin e sektorit privat dhe në veçanti, investimeve të huaja, pasi investitorët do të mbështeten mbi zbatimin e duhur të ligjit dhe një shkallë parashikueshmërie në bizneset e tyre".
c.a/NOA