Holanda, 900 mijë euro për barazinë gjinore në vend
Qeveria e Holandës mbështet reformën e Kombeve të Bashkuara në nivel vendor, duke kontribuar me fondin 900,000 euro për programin “Një OKB” gjatë tri viteve në vazhdim. Këto para, siç njofton zyra e OKB-së në Tiranë, UNDP, do të përdoren për projektet për realizimin e barazisë gjinore. Fondet holandeze do të mbështesin një prej prioriteteve të qeverisë së Shqipërisë dhe ekipit të Kombeve të Bashkuara – barazinë gjinore. “Mbështetja e vazhdueshme e donatorëve për programin “Një OKB” është mjeti kryesor për suksesin e reformës së KB-së në Shqipëri, - shprehet koordinatorja e përhershme e KB-së, znj. Gülden Türköz-Cosslett, - dhe ne jemi të kënaqur që Holanda u bashkua si donatore e Fondit të Koherencës së programit “Një OKB”, në vijim të kontributeve të rëndësishme të Spanjës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Austrisë”. “Nëpërmjet këtij kontributi Holanda shpreh mbështetjen e saj të fuqishme ndaj programit “Një OKB” në Shqipëri”, - tha ambasadori i Holandës, Henk van den Dool. Duke njohur karakterin pilot të programit “Një OKB”, ambasadori shtoi: “Ne kemi besim se kjo nismë pilote do të bëjë të mundur jo vetëm realizimin efektiv të aktivitete të KB-së në Shqipëri, në mënyrë të veçantë në fushën e barazisë gjinore, por gjithashtu do të nxjerrë mësime për performancën e KB-së në vende të tjera të botës”. Objektivi i programit “Një OKB” është të mbështesë Shqipërinë për arritjen e synimeve të saj të përcaktuara në Marrëveshjen e Stabilizimit dhe Asocimit me Bashkimin Evropian, prioritetet kombëtare të shprehura në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim dhe në Sistemin e Planifikimit të Integruar.