E Diel, 1 Nëntor 2026

Dr. Sami Gjergji: Një situatë politike që kërkon një zgjidhje afatgjatë

“Prishjet e përkohshme të ekuilibrave politike i shoh si zhvillim i mëtejshëm i demokracisë në vendin tonë dhe shans për aleanca të reja më të qëndrueshme”.

Tani, kur pothuajse po e plotësoni mandatin tuaj si deputet, si e vlerësoni përvojën e fituar nga politika?

Politika është një dashuri që e nxit “zjarrin” e pasionit me kalimin e kohës. Ajo të lumturon dhe njëkohësisht të hidhëron, të bën të ndihesh mirë dhe njëkohësisht të lodh, të bën të qeshësh dhe njëkohësisht të qash, etj., etj. Politika është një univers të cilit çdo politikan kërkon t’i “pushtojë” një segment të pushtetit që ajo të ofron. Në fund të fundit, të ecja në rrugën e politikës, për mendimin tim, është një shkollë që të mëson se përse, për çfarë, kur, ku dhe si të bësh një kompromis ose të arrish në konsensus, pa shkelur parimet dhe sovranitetin personal. Prandaj, përpara se t’i hyja kësaj veprimtarie, e kam vlerësuar misionin e saj që është menaxhimi i fateve të atyre që të besojnë.

Gjatë kësaj kohe, cilat janë ngjarjet që i vlerësoni si më të rëndësishme dhe më mbresëlënëset?

Mbi të gjitha, fitorja në zgjedhje, përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe renditjen e vendit shumë vende më lart se një vit më parë, përpjekjet për të arritur konsensusin për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, investimet në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, por mbi të gjitha këto, një ngjarje që është e përhershme: përfaqësimin e zgjedhësve në foltoren e Kuvendit ose më saktë, mbajtjen e premtimeve të dhëna në fushatë dhe përçimin e zërit dhe dëshirave të tyre.

Forca politike që ju përfaqësoni, erdhi në pushtet me moton: “Koha për ndryshim”. Sipas gjykimit tuaj, cilat janë ndryshimet më të dukshme që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe në Shqipëri?

Ndryshimi më i madh, por që nuk duket ashtu siç duhet, është mentaliteti i ri i politikës shqiptare, një mentalitet që, për shkaqe të kuptueshme, është ende në kërkim të vetvetes. Në fakt, ky ndryshim është një kërkim i dyanshëm, sepse në krahun tjetër të politikanit kemi një zgjedhës me një mendësi të re në formim e sipër. Në fakt, ky ndryshim është në zhvillim e sipër dhe, mund të matet në mënyrë relative, me anë të rezultateve të zgjedhjeve. Sot, në opinionin publik gjallojnë shumë faktorë të rinj që influencojnë mbi politikanin dhe zgjedhësin në përputhje me bindjet dhe interesat individuale dhe të grupit. Prishjet e përkohshme të ekuilibrave politike janë shans për aleanca të reja më të qëndrueshme.

Si do ta vlerësonit realitetin e sotëm shqiptar dhe situatën politike në vend?

Pak më lart bëra të ditur se politikani dhe zgjedhësi janë në kërkim dhe zhvillim të një mentaliteti të ri. Në këtë këndvështrim situata politike karakterizohet nga iniciativa për gjetjen e aleancave të reja në përshtatje dhe për përfaqësim të ri e më cilësor të grupeve të caktuara të interesit. Në këtë kontekst duhet vlerësuar edhe realiteti shqiptar. Sot kemi ende gjysmën e popullsisë që jeton në fshat, e cila kërkon të afirmohet politikisht dhe të përfaqësojë interesat e agrobiznesit, agroindustrisë, agroturizmit, si drejtime që premtojnë një jetë më të mirë dhe që konsiderohen nga të gjitha qarqet e politikës si prioritete të zhvillimit të ardhshëm ekonomik të vendit. Vlerësimi im personal, i bazuar kryesisht në ndryshimet që kanë ndodhur në zonën time elektorale, është se kemi një situatë politike që kërkon një zgjidhje afatgjatë dhe një realitet shqiptar që nuk mund ta mbash më me “fjalë të bukura dhe gur në torbë”.

Mendimi juaj për opozitën aktuale dhe rolin e saj?

Në fakt, për mua kjo është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur, sepse më vendos në një pozicion ku nuk ndihem fort mirë. Megjithatë, nga një këndvështrim sa më asnjanës, mund t’ju them se roli i opozitës ka qenë dhe mbetet i pazëvendësueshëm për të arritur standardet e një demokracie të zhvilluar. Opozita e majtë, kurdoherë, ka luajtur rolin e saj si në drejtim të arritjeve pozitive (kur kemi rënë dakord për ligje që do t’i shërbejnë vendit dhe popullit) dhe atyre negative (kur nuk e kemi gjetur fjalën e përbashkët për ligje që, gjithashtu, do t’i shërbenin vendit dhe popullit). Ajo që nuk vlerësoj siç duhet për rolin dhe veprimtarinë e opozitës, janë mjetet e vjetra politike me të cilat përpiqet të bëjë opozitë, të cilat shpesh e kanë penguar edhe atë vetë në kuptimin e arritjes së objektivave politikë. Opozita e majtë, sikundër e thashë edhe më lart, është në rritje e sipër. Ka dy prirje të ndryshme në opozitën e majtë: njëra, e përfaqësuar nga LSI-ja dhe tjetra nga PS-ja dhe aleatet e saj të vogla. Të shohim çfarë do të sjellë periudha e fundit parazgjedhore, sepse zhurma politike e filluar me të ndjerin Kosta Trebicka, risjellja në kujtesë e tragjedisë së Gërdecit dhe së fundi me tragjedinë e Butrintit, të kujtojnë shprehjen popullore: “U mbars mali e polli një mi”. Opozitës së majtë, deri tani, i mungojnë alternativat e qarta. Për shembull, për fshatin ende nuk kemi dëgjuar ndonjë risi nga opozita.

Jeni një nga deputetët më aktivë në Kuvend dhe njëherësh më të pranishëm në zonën tuaj elektorale. Ku ndiheni më mirë: midis zgjedhësve tuaj apo mes kolegëve në mjediset e Kuvendit?

Thjesht, përpiqem të bëj detyrën e parlamentarit, ashtu sikundër pjesa më e mirë e kolegëve. Për sa i përket faktit se ku ndihem më mirë, këtu ngurroj të jap një përgjigje të qartë se do të më duhej të ndaja dy gjëra të lidhura organikisht me njëra-tjetrën, siç janë në fund të fundit, dy anët e një monedhe: në rast se do të shfaqnim vetëm njërën anë të saj, askush nuk do t’i besonte vlerës që ajo përfaqëson, pra do të ishte “pare kallp”. Më ka bërë përshtypja pozicioni që i ka dhënë Kadareja Eskilit në veprat e tij: “Midis foltores së Parlamentit dhe zgjedhësve parapëlqej pikërisht atë marrëdhënie të tragjedianit antik me skenën dhe spektatorin”.

Interesimi dhe vëmendja në të mirë të zonës dhe zgjedhësve tuaj e ka rritur mjaft respektin e zgjedhësve ndaj jush. Mund të na thoni disa nga ndryshimet kryesore që ka pësuar kjo zonë dhe investimet më të rëndësishme që janë bërë atje gjatë kësaj kohe?

Në përgjithësi mund t’ju them se në zonën time elektorale janë kryer ndryshime rrënjësore në shumë drejtime të infrastrukturës dhe të rritjes së mirëqenies së banorëve. Dhjetëra kilometra rrugë që u shtohen edhe po aq objekte arsimore, social-kulturore dhe shëndetësore, përmirësim i dukshëm i rrjetit ujësjellës-kanalizime etj. Konkretisht, mund të përmend disa: Rruga Maminas-Gjiri i Lalëzit, asfaltimi i rrugës Sukth-Manëz, rruga Hamallaj- Hidrovor, rruga Lalëz-Ishëm, e me dhjetëra km rrugë të brendshme në të gjitha fshatrat dhe lagjet e zonës. Gjithashtu janë ndërtuar 6 shkolla të reja: 2 në Bashkinë e Manzës, 2 në Ishëm dhe gjithashtu 2 në Bashkinë e Sukthit. Në synimet e mia ka qenë vëmendja dhe ndihmesa sistematike në furnizimin e komunitetit me ujë të pijshëm. Ky ka qenë një nga premtimet e mia, të cilin përpiqemi me të gjitha mundësitë për ta mbajtur, duke u interesuar në të gjitha hallkat e qeverisjes për gjetjen e fondeve të mjaftueshme në këtë drejtim. Si rrjedhojë, rezultat, përveç përmirësimit të ndjeshëm të sistemit ujësjellës në të gjithë zonën, janë ndërtuar disa ujësjellës të rinj si në Hidrovor, Shkafane, Manëz etj. Megjithatë, kjo s’do të thotë se problemi i furnizimit me ujë të pijshëm u zgjidh njëherë e mirë. Ende ka shqetësime, të cilat, në bashkëpunim me pushtetin qendror dhe atë vendor, do t’i normalizojmë.

Por ndryshimi më i madh duhet parë tek zgjedhësi i zonës, një ndryshim që meriton një analizë të thellë psikologjike. Në periudhat elektorale para vitit 2005, në zonë kishin kandiduar dhe fituar përfaqësues të së majtës, të cilët drejtuan një zonë e cila para vitit 1990 kishte pasur një minierë qymyrguri, një fermë dhe disa kooperativa që furnizonin tregun e Tiranës dhe Durrësit si dhe një bregdet që lakmohet. Që nga 1992 e deri më 2005, kjo zonë u la në mëshirë të fatit dhe u cilësua si e majtë. Edhe sot shumë njerëz më pyesin se si fitova në këtë zonë. Së pari, jam bir i kësaj zone, i lidhur me farefis e miqësi në të katër anët e saj. Së dyti, isha një njeri që kishte arritur të ndërtonte një biznes të suksesshëm që fliste me fakte dhe ishte bindës se unë isha njeriu që mund t’i përfaqësoja në Kuvend. E treta, premtimet i konkretizova dhe jam përpjekur dhe po përpiqem t’i mbaj deri në realizimin e tyre dhe e fundit, por jo nga rëndësia, unë i dëgjoj shumë zgjedhësit dhe çoj në Kuvend me fjalën time interesat e tyre.

Ndërkohë, veprimtaria juaj është shtrirë përtej krahinës suaj që përfaqësoni, ku ndodhet edhe vendlindja juaj. Ditët e fundit, shoqata “Durrësi” ju dha titullin “Fisnikëria e qytetit”. Me të ky qytet ka nderuar edhe figura të tilla si Papa Gjon Pali II, Nënë Tereza etj. Jeni nderuar edhe më parë me tituj dhe dekorata. Si i vlerësoni ato?

Më lejoni të shprehem shkurt, sepse me një titull të tillë që shpreh mirënjohjen dhe bujarinë e popullit durrsak, nuk dua ta përdor si kapital politik, por thjesht si një emocion shpirtëror dhe njerëzor. Titulli është një detyrim i madh moral, për të cilin dëshiroj të mbetem përgjithnjë një njeri fisnik dhe i nderuar në sytë e çdo qytetari durrsak që në shpirt ndien gjithnjë një detyrim më shumë dhe një privilegj më pak.

Me këmbënguljen tuaj, në interes të rritjes së mirëqenies së njerëzve që përfaqësoni, i jeni imponuar edhe qeverisjes qendrore. A janë të kënaqur zgjedhësit nga ky bashkëpunim?

Së pari, të korrigjojmë fjalën imponim me këmbëngulje dhe vetëm atëherë mund të arrijmë te kënaqësia për të cilën mendoj se duhet pyetur zgjedhësi sa i kënaqur është nga unë dhe jo unë sa i kënaqur nga ai. Si politikan unë kam konceptin tim mbi kënaqësinë e zgjedhësve, gjë që më kujton thënien e Presidentit Kenedi: “Mos pyet se ç’bën Amerika për ty, por pyet se çfarë bëre ti për Amerikën”.

Çfarë projektesh të mëtejshme keni për komunitetin që përfaqësoni?

Është herët për të filluar fushatën elektorale. Edhe në këtë drejtim unë ndjek dhe respektoj etikën e një politikani që respekton strukturat vendimmarrëse të PD-së.

Ndërkohë, po afrojnë zgjedhjet e reja. ǒdo të thotë kjo për ju dhe forcën tuaj politike?

Shumë e shumë gjëra, por mbi të gjitha, një analizë të arritjeve dhe mosarritjeve, të të mirave dhe gabimeve e të metave, të arsyeve të suksesit dhe të mossuksesit. Një analizë që duhet të fillojë me objektivat, me njerëzit përgjegjës, me mbledhjen e opinionit të zgjedhësve dhe me një ballafaqim të fakteve, argumenteve dhe ideve.

Në fushatën e kaluar, zgjedhësit i besuan sloganit tuaj: “Së bashku sot për më mirë nesër”. Po në të ardhmen, e keni menduar sloganin me të cilin do të paraqiteni?

Në fillim të kësaj interviste unë e bëra fare të qartë. Politika është një univers dhe nuk ka se si të mos mendosh për të ardhmen tënde politike, por edhe një herë do të desha të respektoj etikën time politike dhe të shpreh edhe një herë bindjen se kjo është një çështje që u takon forumeve vendimmarrëse. Çdo deklaratë e parakohshme nuk përkon me tiparet e mia si politikan dhe për këtë do t’ju lutesha të më mirëkuptoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›